Erdoğan: ​​Marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas "sukses diplomatik". NATO falënderon Turqinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg falënderoi Turqinë për mirëpritjen e dërgesës së parë të grurit nga porti ukrainas i Detit të Zi, Odessa.

“Unë mirëpres dërgesën e parë të grurit ukrainas nga Odessa si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB. Falenderoj aleatin tonë Turqinë për rolin e tij kryesor”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

“Aleatët e NATO-s mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të marrëveshjes për të lehtësuar krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë”, shtoi ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se marrëveshja e grurit ukrainas e nënshkruar midis Türkiye-s, Kombeve të Bashkuara (OKB), Rusisë dhe Ukrainës ishte një “produkt” i suksesit diplomatik të Ankarasë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjithë e pranojnë se hapat e ndërmarrë për të kapërcyer krizën e grurit, të cilën bota po e vëzhgon nga afër, janë produkt i përpjekjeve të vendit tonë”, tha Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Ai shtoi se “kjo punë, e iniciuar nën lidershipin e vendit tonë, është një sukses i rëndësishëm diplomatik”.

Komentet e presidentit Erdoğan vijnë pasi anija e parë e ngarkuar me grurë sot më herët u nis nga porti ukrainas Odessa për në Liban.

E ngarkuar me misër, anija e ngarkesave ‘Razoni’ me flamur të Sierra Leone do të mbërrijë në Istanbul nesër dhe do të vazhdojë rrugën për në portin e Tripolit pas inspektimeve në metropolin turk. Anija mban një ngarkesë prej 26.527 tonë misër.

Presidenti turk theksoi se “nyja e grurit u zgjidh” në Istanbul.

Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik për të rihapur tre portet ukrainase, përkatësisht portet Odessa, Chernomorsk dhe Yuzhny, për grurin e bllokuar për muaj për shkak të luftës në vazhdim Rusi-Ukrainë.

Për të mbikëqyrur eksportet e grurit ukrainas, një qendër e përbashkët koordinimi në Istanbul u hap zyrtarisht të mërkurën e javës së kaluar, e përbërë nga përfaqësues nga Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina për të mundësuar transportin e sigurt, me anije tregtare, të produkteve ushqimore dhe plehrave tregtare nga tre portet kryesore ukrainase të Detit të Zi.