Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, është duartrokitur nga audienca në Londër, në Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, më 28 Nëntor pasi ka kundërshtuar praninë e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ishte pjesë e njërit nga panelet.
“Jam e shokuar nga prezenca në panel e Ivica Daçiç, njërit nga autorët e krimit, njëri nga arkitektët kryesorë të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, në Bosnje dhe Kosovë dhe duke pasur këtë arkitekt duke dhënë këshilla në prezencë të viktimave dhe të mbijetuarave duhet të na bëjë të mendojmë për sensin e këtyre konferencave”, pohoi Gërvalla.
“Drejtësia është gjithmonë kyçe në këtë çështje, pra çështja e sjelljes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, është kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht detyrë e secilit”, e nisi fjalimin e saj ministrja Gërvalla.
“Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryersit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit”, tha ministrja Gërvalla, duke aluduar në luftën e fundit në vend dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Prandaj pyetja që kam unë sot këtu për ju dhe të gjithë është se si autorët duhet të përballen dhe të mbahen si llogaridhënës për atë çfarë kanë bërë”.
“Si mund të flas për këtë, kur para viktimave seksuale që kanë ardhur këtu, që kanë treguar që nuk po heqin dorë, të ulën në këtë dhomë dhe të konfrontohen me këtë situatë kur në këtë vend ishte i ulur një nga autorët e krimit. Dora e djathtë e Sllobodon Millosheviç-it”.
Gërvallës i është kërkuar nga mikpritësi që ta shfrytëzojë kohën e saj të tregojë se si mund të bëhen përpjekje të përbashkëta për këtë çështje, por ajo ka refuzuar të përgjigjet, meqë ishte ndjerë e irrituar nga prezenca e Daçiç.
“Jam pak e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, deklaroi Gërvalla, nën duartrokitjet e viktimave të pranishme në sallë.
Ajo shprehu dilemën se si mund të flitet për mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve të dhunës në Kosovë, kur përballë të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikt, e për të cilat u shpreh se kanë qenë të guximshme mjaftueshëm, të vijnë, të tregojnë se nuk janë duke u dorëzuar, se duan për vetën dhe fëmijët e tyre një perspektivë, e që janë ulur në këtë sallë, në anën tjetër të përballen me faktin se kjo konferencë është edhe një konferencë më shumë.
“Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryersit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha ministrja Gërvalla.
I gjendur pa përgatitur për fjalë të tilla, drejtuesi i konferencës në panel, nuk e kishte idenë se kush ishte personi për të cilin fliste kryediplomatja e Kosovës. “Flet për Ivica Daçiçin”, i tha një nga të ftuarat me zë të ulët, drejtuesit të konferencës, përshpërima e të cilëve u dëgjua nga mikrofoni i ndezur.
Megjithatë, vetë ministrja Gërvalla e sqaroi se për kënd po fliste.
“Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviçit në vitet 1992-2000”, tha ajo.
“Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari repsektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat”, tha Gërvalla, duke u ndërprerë në fjalimin e saj nga duartrokitjet e të pranishmeve.
“Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, tha Zëvëndëskryeministrja Gërvalla.
“E ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”.
“Më vjen keq që nuk dua të jap përgjigje, jo për të mos respektuar juve, por nuk duhet të konfrontohen viktimat në një terren neutral me dhunuesit”, përfundoi ajo.
Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, janë rreth 20 mijë gra shqiptare kryesisht, të dhunuara vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë.
/Argumentum.al