Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën ne ndërmjetësimin e BE-së marrëveshje për targat. Presidentja Osmani i atribuoi SHBA-së një meritë të veҫantë për këtë marrëveshje.
“Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, kurse Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emra të qyteteve të Kosovës” – njoftoi përmes Twitter-it kryediplomati evropian vetëm një orë para së të skadonte afati kur qeveria e Kosovës do të niste me shqiptimin e gjobave për shoferët serbë me targa ilegale.
Tani për tani akoma nuk dihen detaje të tjera të marrëveshjes, por sipas kryediplomatit evropian, “Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për përqëndrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Dy kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë zhvilluan gjatë gjithë ditës së merkurë biseda në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Dy ditë më parë kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiq patën takim po në Bruksel me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel, takim ky që rezultoi pa marrëveshje dhe përfundoi me tensione, ku Borrel akuzoi Kurtin, që i tha jo një propozimi të BE-së për targat.
Ndërkohë, zëvëndëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, që negocioi marrëveshjen për targat shkroi se “pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve.”
Osmani falenderon SHBA-në
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti shtyu për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS. Në reagimin e parë pas marrëveshjes për targat, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, një meritë të veҫantë për këtë marrëveshje ua dha Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Dua të falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova u është mirënjohëse”, shkroi Osmani në Twitter.
Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, ka reaguar lidhur me marrëveshjen për targat të arritur mes Kosovës e Serbisë.
“Mirëpresim lajmin se një marrëveshje e lehtësuar nga BE midis ishte e suksesshme”, shkruan Varhelyi. “Kjo për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkroi ai në Twitter.
Ai më tej ka kërkuar që bisedimet duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Rohde: Marrëveshja, shenjë e mirë për bisedimet tjera
Lajm të mirë e ka cilësuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për çështjen e targave.
Në një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, Rohde deklaroi se kjo përbën edhe një shenjë të mirë për bisedimet e ardhshme.
“Një lajm i mirë me të vërtetë dhe gjithashtu një shenjë e mirë për bisedimet e mëtejshme për çështjet e pazgjidhura”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.
Paralelisht me deklarimin e tij, ai ka shpërndarë edhe njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për arritjen e marrëveshjes të mërkurën në mbrëmje.