Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka propozuar zonjën Vlora Hyseni, ish zëvendës drejtore e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, për postin e drejtueses së Shërbimit informativ shqiptar.
Zoti Rama e propozoi emrin e zonjës Hyseni Presidentit Bajram Begaj, i cili ka kompetencën për të dekretuar shefin e shërbimeve sekrete.
Në një postim në Facebook, zoti Rama shkruajti se ka “besim të plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit informativ shqiptar”.
Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.
Kush është Vlora Hyseni?
Hyseni paraqitet si ekspert dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ajo ka udhëhequr për një periudhë 6-mujore, nga dhjetori i vitit 2020 deri në qershor të vitit 2021, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Periudhë e cila institucioni i inteligjencës kosovare ishte pa drejtues.
Më herët ajo mbante postin e zëvendësdrejtoreshës në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si dhe postin e drejtoreshës për marrëdhëniet me jashtë në këtë institucion.
Ajo u shkarkua nga posti i drejtueses së AKI, më 30 qershor 2020 me vendimin e marrë nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Arsyet e vendimit të shkarkimit nuk u bënë publike asokohe. Ndërkohë që bëhet me dije se Hyseni është një njohëse shumë e mirë e gjuhëve të huaja dhe që flet plot 6 të tilla.
/Argumentum.al