Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestën e zhvilluar në Prishtinë, ku mijëra qytetarë të thirrur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta, protestuan kundër padrejtësive që, sipas tyre, po ushtrohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama ndau në rrjetet sociale foto nga protesta dhe u ndal me ton kritik ndaj heshtjes së institucioneve të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje mungesën e një qëndrimi institucional të Kuvendit të Kosovës përmes një rezolute për të drejtat e të akuzuarve.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”, u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se, nëse një rezolutë e tillë do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës, atëherë edhe Shqipëria do të angazhohej menjëherë në mbështetje të saj.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, shtoi Kryeministri Rama.
Protesta e zhvilluar në Prishtinë u organizua nga organizata të dala nga lufta, ndërsa mesazhet kryesore të saj kërkonin drejtësi për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, duke e cilësuar këtë gjykatë si të njëanshme dhe selektive.
/Argumentum.al