I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se ka përfunduar takimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për aneksimin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka dëgjuar komentet e Vuçiqit për planin e zbatimit dhe për rrugën përpara drejt marrëveshjes.
“Pasi kam pranuar qëndrimet e të dyja palëve, ne tani do të finalizojmë përgatitjet për takimin e Ohrit”, shkroi ai.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen në Ohër më 18 mars për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për të cilin u dakorduan në Bruksel më 27 shkurt.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit dyditor në Serbi ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) ku ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të formohet në Kosovë, pasi “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.
Sipas tij, Asociacioni është parakushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Lajçak i ka bërë këto deklarata në një intervistë që pritet të publikohet mbrëmjen e së martës në televizionin publik serb, pak ditë para takimit që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, ata kanë thënë se pajtohen me përmbajtjen e dokumentit, që quhet edhe “Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ndonëse propozimi i BE-së nuk përmend në mënyrë specifike Asociacionin, në të theksohet që palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë nënshkruar në të kaluarën.
Në mesin e tyre është edhe ajo për Asociacionin.