Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier do të zhvillojë të enjten një vizitë zyrtare në Tiranë.
Steinmeier do të pritet në takim nga Presidenti Bajram Begaj.
Kjo shënon vizitën e parë të një presidenti gjerman në Republikën e Shqipërisë në 27 vite.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vizita përbën një sinjal të mëtejshëm të mbështetjes nga ana e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit tonë.
Në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në institucionin e Presidentit të Republikës, ndërsa në orën 10:55 do të mbahet konferenca për mediet nga dy presidentët, Begaj dhe Steinmeier.
Presidenti gjerman po viziton sot Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me presidentin Pendarovski dhe kryeministrin Kovaçevski, si edhe do të mbajë një fjalim para parlamentit. Në Maqedoninë e Veriut, presidenti gjerman do të takohet edhe me të rinj dhe njerëz nga arti e kinematografia, si edhe do të vizitojë parkun e parë të erës në Bogdanci.
“Fokusi i udhëtimit është situata në rajon, efektet e luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, bëhet e ditur në një njoftim të Presidencës gjermane.
Ndërsa gjatë vizitës në Tiranë, Steinmeier do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe gjithashtu do të mbajë një fjalim në Kuvend, në orën 11:30.
Në Tiranë është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një diskutim se si të përballemi me të kaluarën komuniste dhe një bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Berat, Presidenti Federal do të njihet me projekte zhvillimore bashkëpunimi shqiptaro-gjermane.
Në prag të vizitës së tij në këto dy vende, Steinmeier i tha DW se arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë “meritojnë njohje dhe respekt”. Mes të tjerash ai tha se vizita synon të japë mesazhin, se Gjermania nuk e harron Ballkanin Perëndimor.
Është hera e parë që presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017. Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë megjithatë e njeh mirë Ballkanin Perëndimor. Për dy periudhat që ka qenë ministër i Jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij.