Festa e Ditës së Verës ka bërë bashkë në të njëjtin qytet, ish-kryeministrin Berisha dhe Kryeministrin aktual Z.Edi Rama, të cilët kanë zgjedhur Elbasanin si vendin e origjinës ku festohet kjo festë pagane.
Përvecse për të uruar festën e Ditës së Verës të dy liderit politikë e kanë shfrytëzuar këtë moment feste edhe pë r politikë.
Kështu kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të Elbasanit, ku paraqiti kandidatin Luçiano Boçin të përzgjedhur nga primaret për zgjedhjet e 14 majit.
“Urimet më të përzemërt qytetarëve të Elbasanit, për këtë ditë gëzimi, feste për Elbasanin, i cili sot është edhe kryeqyteti i saj dhe mbarë shqiptarët. Por nuk mund të mos theksoj se kjo ditë, është njëkohësisht simbol i ndërrimit, i lulëzimit, i ndryshimit”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se, “14 maji do të ndjekë një ndryshim të thellë dhe qytetarët e Elbasanit do të mbështesin me besim të madh, një intelektual të shquar, një qytetar shembullor, por edhe një politikan të mirënjohur, Luçiano Boçin për qytetar të parë të qytetit”.
Po ashtu kryeministri Edi Rama vizitoi sot Elbasanin për të përcjellë mesazhin e tij të urimit në Ditën e Verës për të gjithë shqiptarët.
“Ju uroj të gjithëve një rikthim të mbarë në ditët me diell dhe në stinët që sjellin më shumë optimizëm, por në Shqipërinë turistike që po zhvillohet vit pas viti sjellin patjetër edhe më shumë ekonomi. Më vjen mirë që në pragun e kësaj stine ne kemi disa lajme shumë të mira për ata që punojnë e besojnë te puna, duke filluar me pagën minimale, e cila përtej të gjitha programeve elektorale të të gjitha partive dhe parashikimeve më optimiste, është e mundur sot që të ngrihet në 40 mijë lekë, vendim ky që do të zbatohet nga muaji prill nga të gjitha kompanitë private dhe strukturat shtetërore”, u shpreh Rama.
Kryeministri, po ashtu informoi edhe për hyrjen së shpejti në fuqi të vendimit për zerimin e tatimeve për pagat deri në 50 mijë lekë.
“Kemi një proces të vetvetishëm që me rritjen e pagës minimale duhet të rrisim edhe pagat e tjera për të pasur një pagë mesatare më të lartë se ajo që kemi sot. E kemi nisur si vrima e fundit e kavallit në rajon. Sot me pagën minimale të riparë shkojmë në një pozicion edhe më të mirë në rajon, duke lënë pas disa vende dhe duke synuar të ngjitemi më lart se vende të tjera”, deklaroi ai.
Më tej, Rama tha se priste lajme të mira për rezerva nafte dhe gazi në Shqiprag këtë verë.
“Shpresoj shumë se kjo verë të na sjellë edhe lajmin e shumëpritur për rezervën e re të naftës së gazit në Shpirag, çka do të na japë një frymëmarrje dhe sigurisht do të ndikojë drejtpërdrejt në nivelin e jetesës, buxhet, investime, por edhe te pagat”, deklaroi Rama.
Rama paralajmëroi edhe shpërndarjen e mbështetjes sociale për pensionistët të mbledhur nga taksa e jashtëzakonshme për kompanitë e prodhimit të energjisë
“Dua të uroj pensionistët, jo vetëm që nuk e kemi harruar premtimin për t’iu shpërndarë një tjetër mbështetje por sic e kemi thënë, taksa mblidhet, kësti i parë në prill e menjëherë do shikojmë sesi kryesorja në administrimin e të ardhurave, do jetë për pensionistët”, tha Rama.
/Argumentum.al