Policia e Kosovës, ka njoftuar se pasditës së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton se në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur për ngjarjen e sotme në Zubin Potok. Ai ka thënë se është urdhëruar nga Albin Kurti.
“Sot përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar oficerë policie të armatosur në veri. Siç thashë dje, ju thjesht pyesni se në cilën ditë do të ndodhë ndonjë provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Është mirë që, të paktën sipas të dhënave aktuale nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës nuk e dimë se çfarë kanë në mendjen e atyre personave që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara nesh, por është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që paqja të ruhet. Gjithashtu besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin e situatës”, tha Vuçiç .
/Argumentum.al