Prof. Dr. Lisen Bashkurti
Serbia është nën pushtetin e së kaluarës. Doktrinat nacionaliste të Garashaninit, Cubriloviçit, Andriçit, Rankoviçit, Millosheviçit vazhdojnë të bashkëjetojnë me politikat bashkëkohore të Serbisë.
Projektet e vjetra nacionaliste dhe taktikat konspirative e të dhunshme mbetën akoma të preferuarat e Beogradit. Lidershipet totalitare të së kaluarës mbarten tërësisht tek lidershipet e sotme. Aleancat raciste e segregative ndërkombëtare të shekujve të shkuar mpleksen me retorikën e integrimeve Europiane të ditëve tona.
Në kushte paqësore e demokratike është tejet e vështirë të kuptohet kjo mpleksje e Serbisë së vjetër me Serbinë e ditëve tona. Retorika manipulative bashkëkohore serbe është kaq e sofistikuar saqë nga pak kush në botë mund kuptohet.
Janë vetëm rrethanat specifike, kushtet e krizave, tensionet apo konfrontimet me sfidat reale që zbulojnë qartësisht nënshtresën e të kaluarës së gjallë brenda realiteteve politike bashkëkohore të Serbisë.
Nga ana tjetër nevojiten edhe përballjet serbe me ëndrrat e së kaluarës siç është “Nacertania” drejt Kosovës që të kuptohet akoma më mirë sesa pak ka ndryshuar Serbia. Hijet e së kaluarës errësojnë herë pas here çdo rreze drite apo shprese serbe për ndryshim.
Prapa hijenave të së kaluarës të krajleve Serbe bashkëngjiten në mënyrë të pashqitshme ambiciet ogurzeza të Careve të Rusisë. Pjetri i Madh dhe tavarish Stalin ringjallen nëpërmjet Putinit në kohët tona në çdo ëndërr të Serbisë.
Këmbanat ogurzeza të patriarkeve të Kremlinit përzihen me tingujt e këmbanave të patriarkeve serbë natë e ditë, duke u përpjekur të terheqin këtë pjesë të botës së qytetëruar drejt kohërave më fanatike të historisë së njerëzimit. Simbioza Serbo-Ruse është ngjizje e temjanit me përgjakjen shekullore.
Aksi Serbi-Rusi ndonëse i ndryshkur vazhdon të tendose herë pas here mjedisin politik në Ballkan. Skenaret e dizajnuara në Kremlin për Osetinë, Abkazinë, Nagorni-Karabakun, Ukrainën, Krimenë testohen në miniature nga Beogradi edhe në Ballkan.
Semi-demokracia Ruse ekziston këmbëkryq në sistemin politik Serb. Autoritarizmi alla Sovjetik është tejet i preferuar në stilin e liderëve Serbë. Militarizimi Rus dhe strategjitë kërcënuese transplantohen pa mëdyshje në shtetin dhe shoqërinë Serbe.
Politika e prodhimit të krizave latente permanente me fqinjët kaq e njohur ndërkombëtarisht për Rusinë po zbatohet me shumë ekzigjente edhe në laboratoret e Serbisë me fqinjët e saj. Në mënyrë të veçantë prodhimi dhe mbajtja e krizave latente permanente të Serbisë me fqinjet po zbatohet ndaj Kosovës. Pakicat Ruse në Euro-Azi dhe pakicat Serbe në Ballkan përdoren, shpërdoren dhe abuzohen barbarisht si mina me sahat për kriza latente permanente kundër fqinjeve.
Çdo strategji dhe taktike, çdo retorike dhe qëndrim, çdo deklaratë dhe veprim, çdo farse dhe kërcënim Serb ndaj Kosovës vjen nga stepat Ruse, frymëzohet nga Caret e vjeter dhe Neo-stalinistet e rinj, nxitet dhe sponsorizohet vetëm dhe vetëm nga Moska dhe dishepulli i KGB, Putini. Mjerë ato vende e popuj, mjerë ato qeveri dhe lidere që nuk e shohin këtë realitet temjani të gjakosur.
Nga gjithë vendet e popujt e kohës sonë Shqiptarët në tërësi dhe Kosova në veçanti i njohin më mirë lidhjet e brendshme dhe të pashqitshme Serbo-Ruse. Temjani i gjakosur Serbo-Rus i ka shkaktuar plagë shekullore Shqiptarëve në mbarë Ballkanin dhe Kosovën posaçërisht.
Duket si një destinim historik përballja e Shqiptarëve me aksin Serbo-Rus. Qe nga lindja e nacionalizmave Ballkanik, Kriza Lindore, Luftrat Ballkanike, Luftrat Botërore, Lufta e Ftohtë dhe në tranzicionin e rendit të sotëm botëror, aksi Serbo-Rus është përballur në mënyrë të përgjakshme me Shqiptarët historikisht. Në ditët tona kjo përballje është përqendruar mbi Kosovën dhe popullin e saj.
Historia e gjate e Urës se Ibrit, e margjinalizimit të Veriut të Mitrovicës, e institucioneve paralele serbe brenda Shtetit të Kosovës, përpjekja për asociacionin alla Republika Serbska, ngritja e mureve ndarës në Mitrovicë për politika të faktit të kryer, leshimi i fletë-arresteve abuzive permes Interpolit kundër shtetasve të Kosovës, provokimi me thyerje permanente të kufijve të Kosovës nga eksponente të politikës dhe krimit Serb, ngrirja e marrëdhënieve të Listës Serbe me institucionet e Kosovës dhe ndërvaresia e saj nga Beogradi, tentativa për hyrje të dhunshme me tren Serbo-Rus brenda Kosovës-janë një varg taktikash të frymëzuara nga Rusia putiniste, të sponsorizuara prej saj dhe të aplikuara nga lideret millosheviçjanë të Serbisë për të realizuar me çdo mjet dështimin e shtetit të Kosovës.
Shqiptarët në tërësi me Kosovën në qendër të shqetësimit të tyre kanë gjithë fuqitë e nevojshme për t’u përballur me Serbinë e sotme. Hapësira territoriale, fuqia e popullsisë, resurset ekonomike, kapacitetet njerëzore, energjitë luftarake, vitaliteti dhe organizimi i diasporës i bëjnë pesëmbëdhjetë milionë shqiptarët në botë tërësisht të aftë për t’u përballur me Serbinë e sotme.
Sfida e shqiptarëve për përballje me Serbinë qëndron vetëm tek sponsorizimi Rus i Serbisë. Aksi Serbo-Rus nuk mund të përballohet vetëm nga shqiptarët në Ballkan. Temjani i përgjakur Serbo-Rus mund të përballet vetëm nëpërmjet lidhjeve, aleancave dhe integrimeve Euro-Atlantike.
Shqiptarët në Ballkan me shqetësimin e Kosovës në qender të tyre janë hapësira më e fuqishme dhe e paluhatshme Euro-Atlantike në këtë Rajon. Por edhe vetë Aleanca Euro-Atlantike ka bërë dhe vijon të bëjë investimet më të fuqishme strategjike në mjediset Shqiptare, me fokus Kosovën e Shqipërinë.
Ngjarjet e kohëve të fundit po ndriçojnë më se miri aksin Serbo-Rus në Ballkan. Ballkani po përjeton kohën e fundit Koncertin e Evropës, Krizën Lindore, përpëlitjet e Austro-Hungarisë, ballafaqimet Euro-Azi, Euro-Mesdhe…
Në këtë qerthull lypet vëmendje më e madhe e Evropës që të parandalojë krismat alla Sarajevë, nevojitet rritje e pranisë e rolit të ShBA për të mënjanuar një Jaltë dhe Pitsdam të dytë …
Por, mbi gjithçka kërkohet që vetë Shqiptarët kudo që janë, sidomos dy shtetet shqiptarë, Shqipëria dhe Kosova të forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin e tyre më tepër se kurrë më parë përballë aksit Serbo-Rus në Ballkanin Perëndimor.
Veç e veç Shqipëria dhe Kosova nuk mund të përballen me aksin Serbo-Rus, por së bashku ata bëhen barriere e padëpërtueshme për synimet dhe interesat Serbo-Ruse në Ballkanin Perëndimore.
Shqiptarët udhëhiqen nga teoria e paqes demokratike dhe synojnë të kenë paqe brenda tyre dhe paqe në Ballkan. Por zhvillimet e aksit Serbo-Rus dëshmojnë se demokracia dhe paqja në Ballkan po kërcënohen nga e kaluara që rron./ishgj