Shqipëria është mbështetëse e plotë e së vërtetës dhe e së drejtës historike të Azerbajxhanit, tha kryeministri Rama në Baku

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë takimit në Baku me presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev se, Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit.

“Është kënaqësi e madhe që gjendem këtu dhe pikë së pari, pas një fushate mjaft të madhe e të suksesshme për të rikthyer pjesë të vendit tuaj që për kaq shumë vite gjendej në një situatë që qe shndërruar në diçka të padurueshme, që të gjithë ne e dimë, qoftë në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, dhe tanimë në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit, e të vërtetës dhe të drejtës historike të Azerbajxhanit”, tha Rama.

“Po kështu, së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lëvdueshme dhe shembullore për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë me fqinjin tuaj, Armeninë”, theksoi Rama.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi të dy të bekuar të kemi një gur shumë të fortë midis nesh, që është Turqia, dhe unë besoj fort se ne mund të bëjmë më shumë, e ju e përmendët, në fusha të rritjes potenciale të bashkëpunimit tonë dhe sigurisht, pres me shumë padurim që të dëgjoj dhe të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona, qoftë në sektorin e energjisë ashtu dhe të turizmit”, u shpreh Rama.

“Ashtu siç jua kam thënë disa herë, ne kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi, sepse aty, ju keni bërë një investim masiv, jo thjeshtë në kuptimin financiar, por edhe modelin që është dhe shpresoj që ju do të bëni të njëjtën gjë. Ndërkohë, pres me padurim që të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri, tashmë që Covid është zbutur njëfarësoj dhe rruga është hapur. Ndërkohë që prisja që ju të vinit, mendova: Pse jo të mos vija unë. Siç thuhet: Kur nuk shkon dot mali tek Muhammedi, shkon Muhammedi tek mali””,  tha Rama.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev deklaroi sot në takimin me Kryeministrin Edi Rama në Baku, se ka potencial për rritje të bashkëpunimit në sektorin energjetik mes dy vendeve.

Aliyev u shpreh se vizita e kreut të qeverisë shqiptare “dëshmon edhe një herë nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona”.

“Ne jemi takuar shumë herë. Po kështu kemi komunikuar përmes telefonit. Dhe po kështu edhe gjatë aktiviteteve ndërkombëtare kemi shfrytëzuar mundësinë për t’u takuar me njëri-tjetrin”, tha Aliyev.

“Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe për të diskutuar gjithashtu edhe çështje të zhvillimit rajonal, të cilat janë në krye të axhendës së Evropës. Po kështu do të flasim dhe për çështje dypalëshe, ku do të shkëmbejmë informacione dhe do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar, që është mjaft modest, por ka potencial për t’u rritur. Do ta diskutojmë këtë sot”, tha ai.

“Dhe po kështu do të diskutojmë sigurisht bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Qysh prej më shumë një viti Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Evropës dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme dhe përfaqësuesit tuaj të nivelit të lartë kanë marrë pjesë gjithmonë në takimet e Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor dhe kanë kontribuar për zbatimin e këtij projekti. Kështu që jemi në një ekip vendesh, të cilat kanë zbatuar me sukses këtë projekt historik, duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit, sidomos të gazsjellësit Transatlantik. Unë mendoj që tashmë kjo është më e dukshme sesa më parë”, u shpreh Aliyev.

“Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë që ka potencial të madh për t’u rritur. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikës, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe”, theksoi Aliyev.

“Jam i sigurt që ajo çka është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja. Po kështu mendoj që ka një shans të mirë për të folur për të tjera fusha të ndërsjella”, shtoi Aliyev.

“Mundësitë në fushën e turizmit dhe t’u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi të ndryshme turistike. Dhe përgjithësisht një partneritet më të gjerë për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme dhe për të patuar rezultate të mira në të ardhmen”, përfundoi Aliyev.

“Faleminderit shumë, zoti President për këtë mikpritje të ngrohtë që e ndjemë qysh hapin e parë pasi zbritëm në kryeqytetin tuaj të mrekullueshëm dhe presim me padurim të lajmë borxhin në momentin që ju do të vini në vendin tonë”, përfundoi kreu i qeverisë, Edi Rama

/Argumentum.al