11 Korriku është shpallur nga OKB si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë.
Viti 2025 shënon 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ku në korrik të 1995-ës humbën jetën më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, mijëra të tjerë u zhvendosën dhe familje e komunitete u shkatërruan.
Lufta që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë mori më shumë se 100,000 jetë në Bosnjë dhe Hercegovinë midis 1992 dhe 1995, kryesisht të myslimanëve boshnjakë dhe zhvendosi më shumë se dy milionë të tjerë.
Masakra në Srebrenicë shënoi një nga kapitujt më të errët të asaj lufte.
Në korrik 1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, e cila ishte shpallur më parë një zonë e sigurt sipas Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Ushtria serbe e Bosnjës vrau brutalisht mijëra burra dhe adoleshentë atje. Pjesa e mbetur e popullsisë muslimane boshnjake e pranishme në Srebrenicë, rreth 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar, u transferuan me forcë jashtë enklavës. Kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.
Deri më sot, vetëm disa ngjarje janë përcaktuar si gjenocid nga organet kompetente të drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) njohën masakrën e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga ushtria e Republikës Srpska si një akt gjenocidi.