Në 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të huaja që funksiononin në atë kohë në Shqipëri, në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash.
Brenda pak ditëve në oborret e ambasadave të Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, kishin ngritur “kampin e fushimit” rreth 5.000 refugjatë shqiptarë që kërkonin azil politik.
Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët kapërcyen muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim.
Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore dhe lejimin e pluralizmit politik.
Në këtë 35-vjetor të hyrjes së shqiptarëve në territorin e ambasadave të huaja, Ambasada Gjermane në Tiranë, publikoi online një ekspozitë digjitale me imazhe nga kjo periudhë. Në Ambasadën Gjermane kërkuan strehim më shumë se 3200 persona ndërkohë azilkërkuesit në total arrinin në 5000 vetë./ATA




