Anija më e madhe në botë për transportin e makinave me energji diellore, “Yuan Hai Kou”, ka përfunduar me sukses udhëtimin e saj të parë, me mbërritjen në Portin e Pireut të Greqisë, duke transportuar 4000 automjete kineze, njoftoi “China COSCO Shipping Corporation Limited”, citon “Xinhua”.
Anija ka një sistem diellor prej 302.8 kilovatësh, më i madhi i këtij lloji, i cili gjeneron 410.000 kilovat-orë energji elektrike në vit dhe zvogëlon intensitetin e karbonit me 35 për qind gjatë ciklit të saj jetësor krahasuar me anijet konvencionale.
“Udhëtimi i parë i suksesshëm i “Yuan Hai Kou” është një hap praktik me rëndësi në strategjinë globale të kanaleve të “COSCO Shipping”, duke integruar transportin detar, portet dhe logjistikën, duke vendosur njëkohësisht një standard të ri për transformimin me karbon të ulët në industrinë globale të transportit detar”,- tha Zhang Wei, president i “COSCO Shipping Specialized Carriers Co., Ltd”.
Me një gjatësi prej 199.9 metrash, me një tonazh bruto prej 68.252 tonësh dhe një zhvendosje prej 39.069 tonësh, anija ka 12 kuverta automjetesh, tetë të fiksuara dhe katër të rregullueshme.
Me një kapacitet ekuivalent për 7000 makina, ajo mund të transportojë automjete pasagjerësh, kamionë inxhinierikë dhe autobusë.
E pajisur me një motor me dy karburante që funksionon me gaz natyror të lëngshëm (LNG) dhe naftë, anija ul konsumin e energjisë me 20 për qind dhe ul emetimet e karbonit me mbi 24 për qind.
Për shembull, një udhëtim vajtje-ardhje nga Kina në Europë ul emetimet me 2100 tonë.
Anija përdor gjithashtu një softuer të patentuar të zhvilluar nga “COSCO Shipping” për të mundësuar gjurmimin e automjeteve në kohë reale dhe paralajmërimet për zjarret, duke rritur sigurinë për eksportin e automjeteve me energji të re.
Zhang tha se flota e “COSCO Shipping Specialized Carriers” transportoi mbi 100.000 automjete në vendet partnere të “Një brez, një rrugë” nga janari deri në maj të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 173 për qind në baza vjetore./cgtn