Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se procesi i votës së diasporës u shtetëzua dhe më pas u manipulua.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se disponon prova për manipulimet e votës së qytetarëve shqiptarë të cilat do të bëhen publike.
Kryetari i PD-së përsëriti sërish se zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk do t’i pranojmë kurrë.
“Çdo ditë ne do t’u paraqesim shqiptarëve me betimin solemn se kurrë këto zgjedhje nuk do të pranohen. Sot ka shqiptarë të zemëruar. Sot ka shqiptarë të zhgënjyer. Por sot përsëri ka dhjetëra-mijëra shqiptarë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë. Dhe kjo luftë do të fillojë. Edhe një herë u them shqiptarëve, durim, se ne kemi dokumentet. Ne kemi bërë gjithçka për të mbikëqyrur votën tuaj. Ne natyrisht me kallashnikov votë nuk mbrojmë. Por, tani lufta fillon. Ne nuk pranojmë kurrë zgjedhje të tilla. Ne nuk pranojmë kurrë një rezultat të tillë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se kundër qeverisë “duhet të krijohet një front i përbashkët në Shqipëri dhe diasporë”.
“Ata që mendojnë se mund të imponojnë një farsë të tillë shqiptarëve, gabohen rëndë. Ne jemi këtu për ta dokumentuar atë, por ne do qëndrojmë me çdo çmim për të vërtetën dhe mbrojtjen e saj”, tha Berisha.
I pyetur në lidhje me mesazhin e Ambasadës së SHBA-së, e cila uroi popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare, Berisha tha se “aty as nuk mohohet, as nuk pohohet farsa”.