Negociatat mes Izraelit dhe Hamasit që po zhvillohen në Katar për një marrëveshje të re armëpushimi dhe shkëmbim pengjesh janë pranë kolapsit, thanë zyrtarë palestinezë, që kanë dijeni rreth detajeve të bisedimeve, sipas BBC.
Një zyrtar i lartë i tha BBC-së se Izraeli fitoi kohë gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington këtë javë dhe e vonoi me qëllim procesin duke dërguar një delegacion në Doha që nuk kishte autoritet të merrte vendime për çështjet kyçe të mosmarrëveshjes.
Këto përfshijnë tërheqjen e trupave izraelite dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Para se të largohej nga SHBA, Netanyahu u shpreh me tone pozitive, duke thënë se shpresonte të përfundonte një marrëveshje “brenda disa ditësh”.
Ai tha se marrëveshja e propozuar do të parashikonte që Hamasi të lironte gjysmën e 20 pengjeve që mendohet se janë ende gjallë dhe pak më shumë se gjysmën e 30 pengjeve që dyshohet se kanë vdekur, gjatë një armëpushimi që do të zgjaste 60 ditë.
Negociatat janë ndërmjetësuar nga kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, dhe zyrtarë të lartë të shërbimeve sekrete egjiptiane, me pjesëmarrjen edhe të të dërguarit amerikan Brett McGurk.
Ata thanë se diskutimet e fundit janë përqendruar kryesisht tek dy pika: mekanizmi për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe shkalla e tërheqjes së ushtrisë izraelite.
Hamasi ka këmbëngulur që ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza dhe të shpërndahen përmes agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës.