Pas rezultateve pozitive të bisedimeve gjatë takimit të nivelit të lartë ekonomiko-tregtar në Gjenevë, Shtetet e Bashkuara iu rikthyen taktivave të vjetra për të frenuar dhe goditur Kinën.
Kohët e fundit, Departamenti Amerikan i Tregtisë lëshoi një udhëzues ku kërkoi vendosjen e ndalimit global mbi mikroçipat e përparuar informatikë të Kinës – përfshirë mikroçipat Ascend të gjigantit kinez të teknologjisë Huawei – nën pretekstin e “dyshimit të shkeljes së kontrolleve të eksportit” të SHBA-së.
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, ky hegjemonizëm dhe proteksionizëm bie ndesh me konsensusin e arritur në bisedimet e nivelit të lartë midis dy vendeve, dëmton rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme të kompanive kineze, minon seriozisht stabilitetin e zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit të gjysmëpërçuesve dhe i privon vendet e tjera nga e drejta e tyre për të përvetësuar dhe zhvilluar teknologji të përparuara, gjë që ka ngjallur kritika të gjera në komunitetin ndërkombëtar.
Foto nga VCG
Li Haidong, profesor pranë Universitetit të Punëve të Jashtme të Kinës (CFAU) tha për CMG-në se krahas intensifikimit të konkurrencës globale në inteligjencë artificiale, vlera e mikroçipave të teknologjisë së lartë po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Nga ndalimi i eksporteve të mikroçipave në Kinë, deri te kufizimi i eksporteve të mikroçipave kinezë jashtë vendit, “dora e kontrollit” e SHBA-së po zgjatet më tej. Kjo pasqyron rritjen e shqetësimeve të palës amerikane mbi përparimet teknologjike të Kinës dhe shtimin e zënies së tregut të mikroçipave nga ekonomia e dytë botërore. Përpjekjet e qeverisë amerikane për të ndaluar mikroçipat kinezë në mbarë botën, synojnë frenimin e zhvillimit të teknologjisë së lartë të Kinës, duke garantuar pozicionin e saj si monopolizuese globale në fushat ekonomike e teknologjike.
Sipas komentit, në ditët e sotme, bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik midis vendeve është i ndërthurur ngushtë. Midis tyre, prodhimi i mirkroçipave është një përfaqësues tipik i industrisë së globalizuar. Sipas ekspertëve të industrisë, prodhimi i një mikroçipi kërkon bashkëpunim industrial midis të paktën shtatë vendeve dhe 39 kompanive, që përfshin afërsisht më shumë se 50 industri dhe mijëra procese. Administrata amerikane, e nisur nga mendësia e lojës ku fituesi merr të gjitha, ka ndërmarrë veprime të gabuara që prishin dhe shtrembërojnë zinxhirët industrialë dhe të furnizimit të mikroçipave, gjë që jo vetëm do të çojë në rritje të kostove dhe do të pengojë risitë teknologjike, por do të dëmtojë edhe interesat e kompanive dhe konsumatorëve amerikanë.
Foto nga VCG
Jeffrey Sachs, profesor i njohur amerikan në Universitetin e Kolumbias, theksoi se vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së përparuar në vend të “ndarjes” së botës në “miq” apo “armiq”. Jensen Huang, president dhe kryeekzekutiv i Nvidia, kompania amerikane e mikroçipave, tha se tregu kinez është shumë i rëndësishëm dhe ndalimi i eksportit të mikroçipave ndaj Kinës është “thellësisht i dhimbshëm”. Media amerikane The New York Times publikoi ditët e fundit një artikull ku thuhet se veprimet e qeverisë amerikane, po minojnë shtyllat që mbështesin kapacitetin dhe inovacionin e SHBA-së.
Në koment vihet në dukje se proteksionizmi nuk mund të mbrojë aftësinë konkurruese, gjë që është një përvojë bazike gjatë zhvillimit ekonomik të njerëzimit. Si fuqia e parë në botë për shkencën, teknologjinë dhe ekonominë, Shtetet e Bashkuara shpesh reklamojnë respektimin e “konkurrencës së lirë” dhe “ekonomisë së tregut”. Por në fakt, vendimmarrësve të vendit u mungon guximi për të trajtuar konkurrencën me arsyeshmëri. SHBA-ja pretendon se do ta vendosë veten “në vijën e parë të inovacionit të inteligjencës artificiale”, por nuk mendon si të përmirësojë mjedisin e investimeve, të mbajë dhe tërheqë sa më shumë talente, as të rrisë përpjekjet për inovacionin, kërkimin e zhvillimin, por vetëm përpiqet të pengojë rrugët e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ajo nuk do të ecë më shpejt, por do të dobësojë aftësinë konkurruese globale.
Foto nga VCG
Nga ana tjetër, përballë presioneve të ashpra amerikane, Kina po bën progres të pandërprerë në teknologjinë e përparuar. Nga teknologjia kuantike, inteligjenca artificiale si DeepSeek e deri në zhvillimin e industrisë së robotëve humanoidë, Kina ka mahnitur botën vazhdimisht.
Në vitin 2024, fondet totale të Kinës për kërkim dhe zhvillim ishin mbi 3.6 trilionë juanë (500 miliardë dollarë amerikanë), duke u renditur e dyta në botë. Numri i personelit për kërkim dhe zhvillim vazhdon të renditet i pari në botë prej 11 vjetësh. Sipas “Raportit të Treguesve Kombëtarë të Inovacionit 2024” , Kina renditet e dhjeta në botë, 10 vende më lart nga viti 2012, duke qenë vendi me përmirësimin më të shpejtë në dekadën e fundit ndër vendet e përfshira.
Në fushën e mikroçipave, pavarësisht pengesave amerikane, të dhënat tregojnë se eksportet e qarqeve të integruara të Kinës në vitin 2024 arritën në 159.55 miliardë dollarë amerikanë, një rritje vjetore prej 17.4%. “Kjo do të thotë se zëri i Kinës në industrinë globale të gjysmëpërçuesve po rritet gradualisht”, kështu përfundon komenti i CMG-së./CGTN
/Argumentum.al