NGA DR. JORGJI KOTE
Me krijimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur poetike, Daim Iljazi na rikujton thënien e famshme se “poetët nuk bëhen, ata lindin”!
Përpara se të hyjmë në përmbajtjen e poezive të këtij vëllimi, vlen të theksojmë se Daimi nuk ka qëndruar i mbyllur në “kullën e fildishtë“ të poezisë së tij. Kursesi! Ai është dhe aktivist i palodhur, organizator dhe promovues i letërsisë, krijimeve dhe talenteve të saj në trojet shqiptare dhe më gjerë. Eshtë themelues dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptarë OENEUM me qendër në Tetovë. Ka qenë anëtar i Bordit të Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, festivalit më të madh ndërkombëtar të poezisë në Maqedoninë Veriore, etj.
Në “lundrimin” e tij të gjatë në kohë, nga Vardari në Senë, në Liqenin e Gjenevës, në brigjet e Bosforit dhe në kryeqytetin e Europës së bashkuar, poezia për Daim Ilazin ka qenë dhe mbetet bashkëudhëtare besnike në gjithë veprimtarinë dhe punën e tij plot pathos e pasion; për 2 dekada si mësues në Tetovë dhe pas viteve 90 për 3 dekada të tjera në misionin e tij si diplomat i lartë në Shkup, në Bernë, Paris, Bruksel dhe Ankara. Daimi dallon se është “mbrujtur me miell” poetik të cilësisë së lartë shqiptare, ballkanike por dhe europiane e sidomos franceze. Qysh në vitin 1991 ai krijoi dhe drejtoi Klubin Kulturor Francez në Tetovë; në vitin 2006 fitoi çmimin për poezinë Euro-Frankofone në Paris. Po ashtu, Qeveria franceze e ka dekoruar me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike.

Ndaj dhe poezia e tij ka dhe përcjell natyrshëm ngjyrat dhe aromën e kombinuar të Ballkanit dhe Europës së qytetëruar. Siç e pohon në Parathënien e tij Prof. Dr. Salajdin Salihu, Daimi është “Poet me një soditje dhe vrojtim të thellë që i kap imazhet karakterisike të jetës në metropole të ndryshme të Europës, për t’i krahasuar ato me imazhe të zymta dhe botëkuptimet tona ballkanike. Këto paralele ose më drejtë këto diferenca, autori do të dijë t’i shtrojë në vargje me një mjeshtëri dhe stil të veçantë, duke soditur kohën dhe jetën që ka ecur përpara dhe kohën që ka mbetur prapa, e që është vonuar…aq sa në një varg poeti thotë: “paskemi ecur me hapa breshke”! Këtë e ndjen sapo fillon këtë lundrim poetik në rrjedhat e Vardarit, ku ndien nga afër afshin dhe aromën e Zhelinës, fshatit të tij të dashur dhe të bukur pranë Tetovës ku lindi 71 vite më parë. Nuk ke se si të mos emocionohesh kur lexon elegjinë për “Zhelinën pa kështjellë” që ai e shkruante nga Parisi, te kafeneja e Balzakut. Mallin dhe dashurinë për vendlindjen e ndjen veçanërisht te Tetova, ku ai me shumë nostalgji shprehet:“ Fshatrave e qyteteve kam bredhur/në Ballkan, Europë e Azi/ askund nuk gjeta ngrohtësi/ askund nuk gjeta dashuri/ edhe kështu si je/ të dua shumë, e dashura ime Tetovë/ ikonë e skalitur me dashuri!“ Ndërsa te Shi bie në Tetovë” dhe “ Ku shkoni?” ai shprehet me trishtim dhe dhimbje dhe i qan zemra për vendin tek sheh të rinjtë që ikin e ikin: « Sytë lotojnë gjak/ autobuzët numërojnë, katër, gjashtë, tetë, dhjetë, njëzet/ si konserva sardele/ me vasha dhe djem të ri. Ndërsa te Pylli i dëndur ai shkruan : « reliev i ashpër/ në pyllin e dëndur/« pa nuse, pa krushqi, pa dasmorë! Ndërkohë, të gjitha këto ngjarje nuk ia zbehin krenarinë dhe dashurinë për vendlindjen dhe të parët e tij, si te “Kalaja e Tetovës”: E ngujuar në kënd qielli/ nën mjegullimin e errtë/ aty ku lëviz lashtësia/ si Tetova me ardhmninë! Shqip i them lartësou si nuse malsie/Odiseu yt të kërkoj shtigjeve ilirie! Gjithsesi, Daim Iljazi nuk heziton të fshikullojë problemet, mentalitetet e prapambetura dhe hallet e përditshme. Ndërkohë, nuk mjaftohet me konstatime dhe qortime, por si poet qytetar zotohet se do të luftojë për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Ashtu si te “ Betohem” këtu më poshtë, mesazhi i gjithë korpusit poetik të Daimit është ta bëjë jetën e njeriut më të mirë, më humane, më fisnike, më të denjë për njëri tjetrin, për ta shëruar ”marrëzinë ballkanike”. Betohem për sytë e ballit/ e nesërmja s’do më gjejë në gjumë/ si dita e djeshme shterpë/ betohem shpresa ime/ s’do të jetë leckë e ndyrë/ për ëndrën time shekullore! Në këtë mision ai merr frymëzim nga Gonxhe Bojaxhiu, të cilës i ka kushtuar poezinë tejet prekëse “Flakadan i paqes”: Gonxhe lindi në një fole të Shkupit/ si feniks u ngjit në majë të piramidës/ me një copë diell në dorë : ndriçoj për sytë e botës : si hëna e plotë mesnatës ia piu terrin/ me sy shqiponje fali dashuri/ piu dhimbje e piu uri…
Ballkani me Kutinë e tij të Pandorës, me gjakun, dramat, luftrat dhe tragjeditë si në gjithë krijimtarinë poetike të Daimit është i pranishëm dhe te “ Lundrim me kohën”. Kështu, te Drama ballkanike gëlon një protest e fuqishme: Ndërgjegje e tretur nën rrënjë/ shpirtra të molisura/ fërkohen relieve të thyera/ shpirti i tyre/ ujdhesë koralesh me dënesje e ankth/ presin diellin e vonuar/ Nata e Bartolomeut shfaqet/ në Ballkanin e trazuar/ Ndërsa te Lamtumirë Srebrenicë poeti vajton me klithma dhimbjeje: Atje larg në Ballkan, në Srebrenicë, në Vukovar/ tymon Kutia e Pandorës/ lulet nuk lulëzojnë/ bari nuk rritet/ dridhet toka e gjakosur/dhe në Reçak atje larg në Ballkan/ plagët kullojnë gjak/ jeta rrinte varur në qafën e dreqit/ në mes tymit dhe flakës/ të vdekurit i shajnë gjeneralët e harlisur nga varrezat masive! Poeti mendjen e ka te Ballkani dhe kur shkon për homazhe në varrezat e artistëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Dhe meraku i Apolinarit, Beketit, Bodlerit, Sartrit e të tjerë është aty. Shpirti i Molierit i pëshpërin autorit me dhimbje «shkruaj tragjikomedi te re me personazhe shqiptare »! Në një poezi tjetër frymëzuese » Kryqëzimi i Selmës » ai tregon fatin mjeran të kësaj bukurosheje të ekranit bosnjak : E dhunuar katër herë/ shfaqet Selma në ekrane/ lakuriq e varrur në një lis të Sarajevës/ nën një kryq të Shën Savës/ tatuazh në mes të gjinjve/ shfaqet Selma ëngjëllore/ ah, kjo bukuri sfiduar/ zanë mali nën ujvarë/ nga djajtë e kafshuar! Këto tone ulëritëse për fatin e rajonit, duke filluar nga Prishtina i ndjen nga afër te Rekuiem për ata: Kodra e trimave në Prishtinë po digjet/ legjendë flakadanësh/ biblioteka në Sarejevë/ mes librave me hi dhe prush/Bashçarshia në gjak noton/ Srebenica e Vukvari me bajraqe të zeza/ ngulfaten nën përhyrje tymi dhe marrëzi/ sytë e botës vajtojnë/ lotojnë gjak, për piskamën e fëmijvë boshnjakë !
Më tej, ky lundrim i trazuar poetik vijon natyrshëm në Europë, destinacioni historik i vendeve tona, me vlerat e saj, me forcën tërheqëse pse jo dhe me padrejtësitë që na ka bërë. Por prapë, siç e thotë në poezinë Të dua Europë ai e do Europën me shpirt dhe zemër. E do si shembull, si model, si frymë, si garanci, si pikë referuese sidomos për rininë kur shkruan: « Më linde, shpesh më le vetëm/kur frynin furtunat gjithandaj/valsi yt me yjet/nuk është i plotë pa mua/ shromi plagët që mi dhe/edhe lotët e i janë të irour/meë merr nën krahët e tua/ah, Europë, sa shumë të dua ! Kur flet për Europën, poeti nuk mund të mos shkruante me pathos për Ukrainën, këtë viktimë të madhe të pafajshme te Ruleti rus në Ukrainë: Në këtë pjesë të botës/ ndodh eklipsi i trurit/ luhet ruleti rus në valsin e vampirëve/ ndërgjegja e botës në flakë ra/ kundërmojnë kufoma të kalbura/ mish e ëndra njerëzish nëpër rrugë! Në gjithë krijimtarinë e tij poetike, Daimi shprehet kundër luftës së padrejtë, kundër armëve dhe në favor të artit, letërsisë, kulturës, librit, të gjithë këta elementë që përbëjnë atë që njihet “ fuqia e butë”( soft power) dhe që mungon në Ballkan. Një ilustrim të përkryer të rolit të saj Daimi e ka dhënë te vëllimi i mëparshëm në shqip dhe frëngjisht “Marrëzi ballkanike”. Pata privilegjin të ligjëroj për vlerat e tij në promovimin e vëllimit në Bruksel më 28 Shkurt 2012, siç tregohet dhe në foton e mëposhtëme; ndaj, këtu po e veçoj poezinë Komandant Bob Dilani të cilën autori e ka përfshirë te vëllimi « Lundrim në kohë »:
Dhe kështu…/duke pirë cigaren e fundit/diku pas mesnate, mendova të bëhem/udhëheqës i një revolucioni/Të shpëtoj botën që luhatet/me një ushtri madhështore/zili do të më kishte dhe Napoleoni/nga inati lugat do të ngrihej Hanibaliu/me ushtarë të zgjedhur/poetë, shkrimtarë e këngëtarë/pa gjak, pa dhunë, pa dhimbje/do ta rrëzoja nga froni/çdo lloj diktatori/për komandant brigade/Do caktoja Bob Dilanin/i armatosur me kitarën e tij/betimin do ta bëjmë/me simfonitë e Bethovenit!.

Lundrimi në kohë nga Vardari në Senë mbyllet me « ëmbëlsi »me disa poezi lirike kushtuar dashurisë; në kuptimin më të plotë të fjalës, dashurisë për jetën, për babain, për vendlindjen dhe natyrisht për femrën, si vajzë, si grua, si nënë, si motër, si mikeshë, si e dashur. Poezitë janë të shkruara thjesht, me shumë sinqeritet dhe vërtetësi, aty gurgullon dashuria puro, e lirë nga komercialiteti, pa interesa dhe kushte, pa fund, në mot me shi dhe me diell, në vetmi dhe arrati. Daimi ka mbetur siç e pranon në një vjershë « Poet në pasion, dhe mbret në dashuri » Ja shihni si shprehet te Si poezinë! Si poezinë të dua/ herë me pasion, herë me butësi/ herë në jermi, here në zjarrmi/ ndryshe s‘mundem, ndryshe nuk di/ të dua si poezinë/ penë e skalitur që e shkruan dashurinë! Duke vijuar te poezia tjetër Ku ike !: Me qindra male më ndajnë nga ty/ por shpesh herë tinëz të takoj, ani/ të ledhatoj, të sodis ëndërave nëpër errësirë/ rrugicave të qytetit u jep hijeshi/ je zambak i bardhë e lot për shi! Ndërsa te Ylli Polar: ai i shprehet të dashurës së zemrës me nota epiko-lirike : S’koti të sodita fisnik/Si m’u shfaqe aq magjike/ pikturë madhështore/ e pamposhtura kështjellë»! Dashuria sipas Daimit lulëzon në çdo stinë, me diell dhe me shi, natën dhe ditën, në vuajtje dhe mundime, si te Binte shi: Eja, qoftë gjunjas si e përmendur/ pa i larë sytë dhe pa makiazh/ ashtu si je/ me flokë të shprishura e shikimin e turbullt/ më mbërthe me krahë, me flatrat e dedalit/ bashkë të fluturojmë qiellit! Notat tejet lirike i ndjejmë dhe te Mjelma në liqen kur dashurinë për vajzën e zemrës e krahason me « një torturë të ëmbël »: ti je heshtje e ëmbël me klithj/, në zemrën time ke marrë udhë/, je siluetë e trishtë që më ndjek/ herë butë, e brishtë si mjelmë/ fisnikëria me buzeqeshjen tënde/ m’u futën thellësisht në shpirt, më je bërë torturë e ëmbël » Ndërkohë, në dashuri në shumë raste heshtja flet më shumë se fjalët, siç tregohet te Heshtja madhështore: Madhështore është heshtja/ kur në heshtje piqet rrushi/ madhështore është heshtja/ kur në mesnatë të përqafon hëna/ madhështore është heshtja/kur heshturazi liria e pi robërinë/ madhështore është heshtja/ kur në heshtje të pi dashuria!
© 2025 Argumentum