Ka dështuar për herë të 21-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të mbajtur votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk kaloi as këtë herë.
Në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari theksoi se kishte mjaftueshëm deputetë në sallë për të filluar seancën.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u shty për herë të 21-të, pasi nuk u sigurua kuorumi për zgjedhjen e komisionit të votimit të fshehtë. 53 deputetë votuan pro, një votoi kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 11:00.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit.
Kandidatja e propozuar nga LVV-ja për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërkaq, LVV-ja ka thënë se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, gjë që po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.