Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të refuzuar mocionin e mbrojtjes që kërkonte përjashtimin e disa fakteve nga aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – është një zhvillim aspak pozitiv me pasoja jo vetëm juridike, por edhe politike dhe historike.
Në thelb, mocioni kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve të ndodhura para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, duke i konsideruar ato jashtë fushëveprimit të akuzave. Por trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Charles Smith, i hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se faktet e përmendura nuk janë akuza të pavarura, por elementë përbërës të akuzave ekzistuese – pra, pjesë e narrativës që Prokuroria po ndërton për të provuar ekzistencën e një strukture kriminale.
Gjykata e përmend Rregullën 130, e cila nuk i jep kompetencë trupit gjykues të largojë pjesë të aktakuzës që përmbajnë fakte materiale nëse ato nuk janë akuza të veçanta. Sipas Smith, është e domosdoshme një shqyrtim i plotë i aktakuzës, e jo ndarja e saj në fragmente të izoluara.
Ky vendim është një goditje për strategjinë e mbrojtjes, por mbi të gjitha, është një konfirmim i qasjes gjithpërfshirëse të Gjykatës, e cila nuk po gjykon vetëm veprimet e izoluara, por një periudhë të tërë politike, ushtarake dhe pasluftës.
A është Gjykata pjesë e një kurthi të ndërtuar nga Rusia?
Eksperti i sigurisë Agim Musliu, president i Bordit të Institutit OCTOPUS për Studime të Luftës Hibride, hedh një dritë të zymtë mbi origjinën e vetë kësaj gjykate. Sipas tij, ideja për themelimin e një strukture të tillë ka lindur në Moskë, konkretisht nga deputeti rus Konstantin Kosachev në vitin 2008. Ai thekson se ky ishte projekti i parë politik dhe diplomatik i një aleance hibride ruso-serbe, që më pas u artikulua në formën e Raportit të Dick Marty-t, të cilin e përqafoi Këshilli i Evropës dhe më pas BE-ja.
Musliu argumenton se ky është një kurth i shumëfishtë – që godet UÇK-në, delegjitimon luftën çlirimtare, zhbën narrativën e viktimës në Kosovë dhe forcon pozicionin e Serbisë e Rusisë si viktima të “terrorit shqiptar”. Ai shkruan:
“As Rusia e as Serbia nuk mund të luftohen me argumente, sepse ato janë falsifikatore të argumenteve. Ato luftohen e mposhten me përkushtimin e Zelenskit dhe të UÇK-së!”
“Gjykata Speciale që po gjykon krerët e UÇKsë në Hagë u ngjiz me idenë ruse, konkretisht të deputetit Konstantin Kosachev (2008).
Gjersa Rusia dhe Serbia në vazhdimësi kanë qenë bashkë në minimin e çdo përpjekje evropiane (nga takimi i fundit – në foto 2025 Kosachev dhe Djuric), Perëndimi ka vlerësuar se rusët duhet të çmontohen me argumente (p.sh. Themelimi i Gjykatës Speciale).
As Rusia e as Serbia nuk mund të luftohen me argumente, sepse ato janë falsifikatore të argumenteve. Ato luftohen e mposhten me përkushtimin e Zelenskit dhe të UÇK-së!
Rusia e Serbia e kanë vënë në kurth Kosovën dhe Perëndimin me Raportin e nisur të Kosachevit, më pas i konvertuwr në raport të Dick Marty-t e më pas në Gjykatën Speciale! Ky është kurth!”
Drejtësi apo kurth?
Kritikët e Gjykatës Speciale kanë argumentuar gjithnjë se ajo përfaqëson një standard të dyfishtë, sepse gjykon vetëm një palë të konflikti, atë shqiptare ndërsa krimet e dokumentuara të forcave serbe janë trajtuar në mënyrë shumë më të ngadalshme ose të papërfillshme në strukturat ndërkombëtare.
Tani që gjykata po refuzon të përjashtojë periudha të gjera kohore që shtrihen jashtë vetë luftës, lind një pyetje e natyrshme: A po bëhet drejtësia mjet për të rishkruar historinë e Kosovës?
Gjykata Speciale, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare dhe legalitetin formal, po shihet nga një pjesë e madhe e opinionit publik shqiptar si një mjet për të zhbërë legjitimitetin historik të UÇK-së dhe për ta vendosur luftën çlirimtare në të njëjtën peshore me krimet shtetërore të Serbisë.
Duke refuzuar mocione që kufizojnë kohën dhe rrethanat e gjykimit, dhe duke e lejuar prokurorinë të përfshijë faktet si “kontekst”, gjykata po ndërton një narrativë të gjerë, e cila mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa thjesht vendimi për faj apo pafajësi.
Nëse qëllimi i drejtësisë ndërkombëtare është paqja, stabiliteti dhe besimi, atëherë çdo vendim sado teknik që të duket duhet të mbajë parasysh se në bankën e të akuzuarve nuk ndodhen vetëm katër individë, por një segment i historisë së Kosovës. Dhe ajo histori, për një popull që ka vuajtur dhe luftuar për ekzistencë, nuk mund të rishkruhet.
© 2025 Argumentum