Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në kryeqytetin sirian, Damask, duke shënjestruar pallatin presidencial dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili kishte paralajmëruar më herët për sulme të rënda nëse forcat siriane nuk tërhiqeshin nga qyteti jugor i Suwaydës.
Sulmet vijnë pas disa ditësh përleshjesh në zonën me shumicë druze të Suwaydës, ku një marrëveshje armëpushimi mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druze u prish të martën. Ministria siriane e Mbrojtjes akuzoi milicitë lokale për shkeljen e armëpushimit, duke detyruar ushtrinë siriane të kundërpërgjigjet me armë zjarri.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka rritur ndërhyrjen në konflikt, duke pretenduar se veprimet e tij synojnë mbrojtjen e pakicës fetare druze. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje qytetarëve druzë të Izraelit të mos kalojnë kufirin me Sirinë dhe e përshkroi situatën në Suwayda si “shumë serioze”.
Sipas agjencisë shtetërore siriane të lajmeve, nga sulmet izraelite ka pasur të paktën një të vrarë dhe 18 të plagosur.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës në Siri. Në një deklaratë zyrtare, BE dënon sulmet ndaj civilëve dhe bën thirrje për zbatimin e menjëhershëm të armëpushimit të arritur së fundmi, për mbrojtjen e civilëve pa dallim dhe për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes.
“Autoritetet e tranzicionit kanë përgjegjësinë të de-përshkallëzojnë situatën, të rivendosin qetësinë, të garantojnë drejtësi për krimet e kryera dhe të çojnë përpara një proces përfshirës tranzicioni”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili u shpreh se Uashingtoni është “shumë i shqetësuar” për sulmet izraelite në Siri. “Po flasim me të gjitha palët e përfshira. Duam që luftimet të ndalen,” tha ai.
/Argumentum.al