Java Kulturore Italiane 2025 u prezantua zyrtarisht në një konferencë për mediat, e mbajtur në Rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë, duke shënuar fillimin e një jave të veçantë të pasuruar me art, kulturë dhe bashkëpunim ndërkulturor. E planifikuar të zhvillohet nga 1 deri më 8 qershor, kjo javë festive do të shtrihet në disa qytete të Shqipërisë dhe do të përfshijë një agjendë të pasur aktivitetesh, që variojnë nga muzika dhe teatri, te moda, kinematografia, teknologjia dhe artet pamore.
Me këtë edicion, Java Kulturore Italiane synon të shndërrohet në një urë bashkëpunimi dhe dialogu kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë, siç theksoi Ambasadori Alberti. Ajo ka për qëllim të nxjerrë në pah shkëmbimet artistike dhe krijimtari të përbashkët, duke u fokusuar gjithashtu në inovacionin dhe përbashkësinë evropiane. Ky program ofron mundësinë për të zbuluar trashëgiminë e pasur kulturore italiane në një kontekst bashkëkohor, duke inkurajuar gjithashtu krijimin e lidhjeve të reja për të ardhmen.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Alberti theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij programi dhe u fokusua në tri pika kyçe që do të udhëheqin këtë ngjarje të rëndësishme: “Bashkëpunimi, Ndërveprimi, E ardhmja.”
“Bashkëpunimi dhe ndërveprimi janë thelbësorë për të ndihmuar në zhvillimin e përbashkët dhe për të hapur mundësi të reja për të ardhmen,” theksoi Ambasadori, duke shtuar se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe krijimin e mundësive të reja për artistët dhe operatorët kulturorë të dy vendeve.
Ambasadori Alberti shprehu se ky është një moment i veçantë për theksimin e rëndësisë së lidhjeve historike dhe kulturore që lidhin Shqipërinë dhe Italinë, duke i dhënë një shtysë të re për të ardhmen. “Nuk do të jetë java në Shqipëri, por me Shqipërinë”, theksoi Alberti, duke shtuar se ky është një mundësi e shkëlqyer për të bashkëpunuar dhe bashkëvepruar për të siguruar që e kaluara e lavdishme mes dy vendeve të jetë një motiv për të ndihmuar në krijimin e së ardhmes.

Ndërsa Zëvendësministrja e Kulturës znj. Lira Pipa në fjalën e saj, theksoi se Bashkëpunimi me Italinë ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës dhe marrëdhënieve bilaterale, duke sjellë një rritje të ndjeshme në cilësinë dhe numrin e aktiviteteve kulturore që zhvillohen çdo vit. “Objektivi i Qeverisë sonë është të krijojmë një reciprocitet gjithnjë e më të madh, dhe në këtë kuptim, ne po punojmë që të zhvillohet edhe një javë e Kulturës Shqiptare në Itali”, tha Pipa.

Nga ana e saj, Drejtoresha e ICE ITA, Francesca Mondello, foli për rolin e kulturës si një faktor lidhës me ekonominë reale, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes operatorëve kulturorë dhe ekonomikë është i domosdoshëm. Sektori i modës dhe tekstilit, sipas Mondello, do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë javë, duke ofruar mundësi të reja për të nxitur zhvillimin e industrisë dhe tregtisë mes dy vendeve.

Po ashtu, Drejtori i Institutit të Kulturës, Alessandro Ruggera, përmendi rëndësinë e kulturës për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe për promovimin e artistëve shqiptarë. Ai nënvizoi se ngjarje të tilla si koncerti i Ermal Meta-s në Butrint dhe ekspozita personale e Enzo Cucchi-t janë mundësi të shkëlqyera për të promovuar kulturën shqiptare dhe italiane ndërkombëtarisht.

Kalendari i Javës Kulturore Italiane 2025:
E Diel, 1 Qershor
* Koncert nga Orkestra “Magna Grecia”
Vendndodhja: Kisha Katolike, Tiranë
E Hënë, 2 Qershor
* Takim për modën dhe dizajnin – stilistët e rinj italianë
Vendndodhja: Inside Coin, Tiranë
* Koncert nga Orkestra “Magna Grecia”
Vendndodhja: Amfiteatri, Durrës
* Koncert “Neri per caso”
Vendndodhja: Sheshi i Lungomares, Vlorë
* Koncert klasik nga Lucio Matarazzo & Giovanni Masi
Vendndodhja: Liceu Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
E Martë, 3 Qershor
* Video-mapping mbi fasadën e ish-hotel “Dajti”
* Sfilatë mode me stilistë të rinj
Vendndodhja: Ish-hotel “Dajti”, Tiranë
E Mërkurë, 4 Qershor
* Koncert jazz “Aperitivo Italiano”
Vendndodhja: Kalaja e Beratit
E Enjte, 5 Qershor
* Shfaqje teatrore “Onora tuo padre – Ndero babanë”
Vendndodhja: Gjirokastër
E Premte, 6 Qershor
* Koncert klasik nga Giovanni Bertolazzi & Orkestra e TOB, dirigjon Andrea Solinas
Vendndodhja: Teatri i Operas dhe Baletit, Tiranë
E Shtunë, 7 Qershor
* Koncert nga këngëtari Ermal Meta
Vendndodhja: Amfiteatri i Butrintit
E Diel, 8 Qershor
* Festival në natyrë me muzikë dhe ushqim italian
Vendndodhja: Tiranë (lokacion në natyrë, pritet konfirmim zyrtar)
Kujtojmë se Javët Ndërkombëtare të Kulturës, të organizuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndodhen në edicionin e tyre të katërt, duke u shndërruar tashmë në një traditë të suksesshme që garanton pjesëmarrje të gjerë dhe të larmishme nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri.
Kjo nismë unike u ka dhënë mundësi vendeve pjesëmarrëse të shpalosin kulturën e tyre përmes aktiviteteve artistike, ekspozitave, koncerteve, kulinarisë, kinemasë dhe shumë formave të tjera të shprehjes kulturore. Por më shumë se kaq, Javët Ndërkombëtare të Kulturës kanë shërbyer edhe si një platformë për krijimin e lidhjeve të reja mes vendeve, për nxitjen e njohjes reciproke dhe për hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik, investime dhe shkëmbime në fusha të ndryshme.
Kjo javë, si pjesë e kalendarit ndërkombëtar kulturor të Shqipërisë, vazhdon të thellojë dialogun ndërkulturor dhe të forcojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, duke e bërë kulturën një urë lidhëse për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm.
© 2025 Argumentum