Kina është e gatshme të punojë me Kiribatin për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe dhe për të rritur mirëqenien e popullit të Kiribatit, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi.
Wang i bëri deklaratat gjatë takimit me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm të Kiribatit Taneti Maamau, në Xiamen të provincës Fujian në Kinën Juglindore. Maamau gjendet në Xiamen për të marrë pjesë në Takimin e Tretë të Ministrave të Jashtëm Kinë – Vendet Ishullore të Paqësorit.
Wang tha se që nga rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve më shumë se pesë vjet më parë, lidhjet Kinë-Kiribati kanë përparuar me shpejtësi drejt thellimit të besimit të ndërsjellë politik dhe bashkëpunimit të frytshëm në fusha të ndryshme.
Ministri i Jashtëm shtoi se kjo tregon që vendimi i Kiribatit për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, është në përputhje me interesat themelore dhe afatgjata të të dy popujve.
Kina i ka vlerësuar gjithmonë marrëdhëniet me Kiribatin dhe vlerëson shumë respektin e palëkundur të vendit ndaj parimit të “një Kine”, tha Wang. Ai shtoi se Ambasada e Kinës në Kiribati ishte e para ndër misionet e huaja në vendin ishullor të Paqësorit, e cila ofroi shërbime vizash. Ndërkohë ekipet mjekësore kineze kanë zgjidhur në mënyrë efektive mungesat të kujdesit shëndetësor në vend.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi takohet me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm të Kiribatit Taneti Maamau, Xiamen, 28 maj 2025/Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës
Kina do të vazhdojë të inkurajojë ndërmarrjet kineze me reputacion dhe të aftë të investojnë në Kiribati. Të dyja palët mund të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtjen, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve detare, shtoi Wang.
Duke vënë në dukje se Kina i kupton plotësisht sfidat unike dhe shqetësimet e ligjshme të Vendeve Ishullore të Paqësorit në lidhje me ndryshimet klimatike, Wang tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet në zhvillim, përfshirë Kiribatin, për të nxitur vendet e zhvilluara të përballen me përgjegjësitë e tyre historike, të përmbushin angazhimet dhe të rrisin mbështetjen financiare, teknologjike dhe të ndërtimit të kapaciteteve për vendet në zhvillim.
Kina do të vazhdojë ta ndihmojë Kiribatin në rritjen e qëndrueshmërisë së saj ndaj klimës, brenda bashkëpunimit Jug-Jug, tha kryediplomati kinez.
Maamau shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë të Kinës për zhvillimin ekonomik dhe social të Kiribatit, duke thënë se Kiribati pret me padurim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kinën në fusha si shkëmbimet kulturore, kujdesi shëndetësor, infrastruktura, lidhjet e qyteteve binjake, ekonomia blu dhe ndryshimet klimatike.