Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos vlerësoi se bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë po përparojnë më shpejt se kurrë.
Duke sjellë pjesë nga fjala e mbajtur javën e kaluar në Parlamentin Evropian, Kos përsëriti se “përparimi në negociata është një shenjë e qartë e angazhimit të Shqipërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian”.
Sipas saj, “përfshirja e të gjithë shoqërisë do të jetë thelbësore për të arritur qëllimin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027”.
“Negociatat e pranimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, siç dëgjuam, me disa momente të rëndësishme të përmbushura tashmë në muajt e fundit dhe më shumë që do të vijnë”, vlerësoi komisionerja Kos.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin u shpreh se “Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja i përmbush premtimet duke pritur qasjen e bazuar në meritë”.
“Ne vazhdojmë të ruajmë fokusin shumë të fortë në reformat në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Shqipëria pritet të konsolidojë më tej përparimin shumë të mirë në këtë fushë”, shtoi ajo.
Përparimi i shpejtë në negociatat e pranimit, sipas komisioneres Kos, “është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë me Shqipërinë dhe jemi vërtet të përkushtuar për të shënuar një rrugë të qartë për pranimin në BE”.
“Zgjerimi është një projekt i tërë shoqëror dhe do të nevojitet një pjesëmarrje e plotë e të gjithë shoqërisë shqiptare për të arritur ambiciet e Shqipërisë. Qëllimi realist i mbylljes së të gjithë kapitujve negociues është deri në fund të vitit 2027”, shtoi ajo.