Kryeministri Li Qiang tha të enjten në Kajro se Kina është e gatshme të punojë me Egjiptin për të mbrojtur globalizimin ekonomik dhe rendin tregtar ndërkombëtar.
Të dy palët duhet të punojnë për të mbrojtur interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim, si edhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme e mbarë botën, tha Li gjatë bisedimeve me homologun e tij egjiptian Mostafa Kamal Madbouly.
Kina i ka dhënë gjithmonë përparësi zhvillimit të marrëdhënieve me Egjiptin në diplomacinë e saj në Lindjen e Mesme, tha Li.
Në vitin 2024, Kina dhe Egjipti festuan së bashku 10-vjetorin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës. Ndërkohë edhe dy takimet midis Presidentit të Kinës Xi Jinping dhe Presidentit të Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi dhanë udhëzime për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe, tha Li.
Vitin e ardhshëm, Kina dhe Egjipti do të festojnë 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në këtë moment kyç, Kina është e gatshme të mbajë shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë me Egjiptin, të forcojë dialogun strategjik, të konsolidojë besimin e ndërsjellë politik dhe të thellojë bashkëpunimin praktik, tha Li.
Nga ana e tij, Madbouly vuri në dukje se Egjipti dhe Kina kanë pasur marrëdhënie të gjatë dhe të thellë, me miqësi tradicionale të rrënjosur në zemrat e dy popujve.
Vitet e fundit, nën udhëheqjen e krerëve të shteteve, partneriteti strategjik gjithëpërfshirës Egjipt-Kinë ka treguar një vrull të fortë. Ai ndodhet në periudhën më të mirë në histori, tha Madbouly, duke shtuar se Egjipti mbështet me vendosmëri parimin e “Një Kine”, respekton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj, mbështet fuqimisht qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit dhe çështjet që lidhen me Xizangun dhe Hong-Kongun. Gjithashtu kundërshton me vendosmëri çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.
Duke shprehur mirënjohje për ndihmën e Kinës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Egjiptit, Madbouly tha se vendi i tij është i gatshëm të zgjerojë besimin e ndërsjellë politik me Kinën, të forcojë bashkëpunimin në fusha tradicionale si tregtia, investimet, financat, industria dhe infrastruktura, të zgjerojë bashkëpunimin në fusha në zhvillim duke përfshirë energjinë e re, ekonominë e gjelbër dhe hapësirën, të përmirësojë shkëmbimet njerëzore midis njerëzve, si edhe të promovojë më shumë arritje në bashkëpunimin afrikano-kinez dhe arabo-kinez./cgtn