Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është liruar nga burgu.
Vendimi u mor sot në Gjykatën e Fierit ku edhe u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.
Sipas medieve raporti i shërbimit të provës ishte pozitiv dhe prokurori i çështjes, Genc Mane dha dakordësinë e tij për lirimin e Salianjit.
Salianji ndodhej në burgun e Fierit prej 27 shtatorit 2024, ndërsa u dënua për kallëzim të rremë, për dosjen e njohur me emrin “Babale”.
Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën pretendoi se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Avokati Ledio Braho në një prononcim për mediet pas vendimit të gjykatës së Fierit për të liruar me kusht të Ervin Salianjin, tha se dënimi i tij ishte politik. Sipas procedurave, ai tha se lirohet brenda ditës.
“Më në fund pati një element minimal drejtësie për të. I gjithë procesi sipas mendimit tim është krejtësisht i padrejtë, ishte dënim politik, por sot arritëm të shkurtonim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditës së sotme. Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë për interesin publik”, u shpreh Braho.
Ish- deputeti demokrat Ervin Salianji, rreth orës 15:30 ka dal nga ambientet e qelisë në burgun e Fierit. Ai në një prononcim për media, tha se burgosja e tij ishte politike.
“Më shumë se 10 muaj në burg për arsye politike dhe sepse kam çuar para drejtësisë një trafikant drogë. Dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore dhe është fitorja që kam pasur në çdo zonë që kam mbuluar PD”, tha Salianji.
“Unë do të shkoj që të falenderojë një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku ka fituar PD për ti falënderuar për rezistencën. Unë do të vijoj betejën në Strasburg. Burgu si urohet as asmit, por sot kam një program tjetër. Për ata që kanë qenë të pavëmendshëm unë s’kam bërë burg për vjedhje, por arsye politike’, tha ai.
Lidhur me lirimin e Salinajit, ka reaguar në një deklaratë për mediet edhe kreu i PD, Sali Berisha. Ai tha se ishte një dënim politik.
“Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano”.
“Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë”, tha Berisha.