Tiranë, 20 Maj 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka mikpritur sot Ministren për Çështjet Evropiane të Danimarkës, znj. Marie Bjerre, me të cilën ka diskutuar rreth konteksteve të reja gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Vizita e Ministres Bjerre, sipas Ministrit Hasani, përkon dy ditë përpara Konferencës së Pestë Ndërqeveritare në Bruksel midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ku parashikohet të çelet zyrtarisht Grup-Kapitulli 3, i cili lidhet me “Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse” dhe përfshin 8 kapituj të tjerë që hapen.
“Ky hap përbën një tjetër fazë të rëndësishme në procesin tonë të negociatave për anëtarësim në BE – një proces në të cilin Shqipëria jo vetëm po ecën në rrugën e duhur, por po shpejton me siguri, duke i qëndruar edhe objektivit madhor: që brenda këtij viti çelim edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027-të i përfundojmë negociatat duke pasur 2030-tën si pikën më të fundit kur Shqipëria ulet si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e vlerave të Bashkimit Evropian”, u shpreh Z. Hasani.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministri Hasani ka shprehur gjithashtu mirënjohjen ndaj mbështetjes daneze për integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa ka nënvizuar gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin pas marrjes më 1 Korrik të presidencës së BE-së nga Danimarka.
“Ne jemi besimplotë se nën udhëheqjen e Danimarkës, procesi i zgjerimit do të vazhdojë të qëndrojë lart në agjendën e BE-së.” – është shprehur Ministri Hasani.
/Argumentum.al