Një zëdhënës i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare shprehu të mërkurën kundërshtim të fortë ndaj zhurmës së bërë nga Japonia për të ashtuquajturin “kërcënim nga Kina” dhe ndërhyrjes së saj në punët e brendshme të Kinës.
Zëdhënësi Jiang Bin i tha këto në përgjigje të një pyetjeje të medies lidhur me librin e bardhë të mbrojtjes të Japonisë për vitin 2025 të publikuar kohët e fundit.
Në këtë dokument Kina vazhdon të cilësohet si “kërcënimi më i madh strategjik i paparë për Japoninë”, duke pretenduar që Kina “është përpjekur në mënyrë të njëanshme të ndryshojë me forcë statukuonë” dhe duke bërë komente të papërgjegjshme mbi çështjen e Tajvanit.
Jiang vuri në dukje se militarizmi japonez u shkaktoi vuajtje të mëdha Kinës dhe vendeve fqinje aziatike të saj. Fatkeqësisht, në vend që të reflektojë mbi këtë, Japonia shfaq përsëri një prirje të rrezikshme të forcimit të ushtrisë së saj duke rritur buxhetin e mbrojtjes, duke hequr kufizimet mbi eksportin e armëve dhe duke formuar klika ushtarake për t’u angazhuar në kundërvënien në bllok. Madje, Japonia ka kërkuar ndryshimin e “Tre parimeve jobërthamore” herë pas here.
Këto veprime bien seriozisht ndesh me kushtetutën pacifiste të Japonisë dhe politikën e saj të orientuar vetëm drejt mbrojtjes, duke minuar rëndë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe duke përbërë sfidë serioze për paqen dhe qetësinë e rajonit të Azi-Paqësorit, theksoi Jiang.
Ai shtoi se vendet fqinje të Japonisë në Azi, si dhe bashkësia ndërkombëtare, janë vigjilente e të shqetësuara nga këto veprime.
Zëdhënësi vuri në dukje që ky vit shënon 80-vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, si edhe 80-vjetorin e rimarrjes së Tajvanit.
Kthimi i Tajvanit në Kinë në vitin 1945 është rezultat i fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe pjesë e pandashme e rendit ndërkombëtar të pasluftës, tha Jiang. Ai i bëri thirrje palës japoneze të reflektojë mbi mësimet e historisë, t’i përmbahet frymës së katër dokumenteve politike Kinë-Japoni dhe angazhimeve të tyre për çështjen e Tajvanit dhe të nxitë zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-japoneze me veprime konkrete./cgtn