Presidenti Meta vlerëson deputetin rumun Bogdan-Alin Stoica me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Mbështetur mbi themelet e forta të miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, të inkurajojmë më tej thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Rumanisë

Me anë të një ceremonie të veçantë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” deputetin e Parlamentit të Rumanisë, Bogdan-Alin Stoica: “Në vlerësim të kontributit të çmuar të dhënë në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Për mbështetjen e pakursyer dhënë nëpërmjet Shoqatës ‘Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë’(ALAR), si organizata përfaqësuese e pakicës kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe në cilësinë e anëtarit të Parlamentit të Rumanisë. Me mirënjohje shtetërore për mbështetjen dhe promovimin e vazhdueshëm të vlerave më të mira të kulturës, historisë dhe traditave të shqiptarëve në Rumani, si dhe për ndihmesën e vyer në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar.

“Me mirënjohje për mbështetjen e palodhur dhe promovimin e vazhdueshëm të vlerave më të mira të kulturës, historisë dhe traditave të shqiptarëve në Rumani, si dhe për ndihmesën e vyer në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar çmova sot me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, deputetin e Parlamentit të Rumanisë, mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Bogdan-Alin Stoica.Shumë aktiv edhe në promovimin e marrëdhënieve tradicionale të miqësisë, bashkëpunimit dhe njohjes së ndërsjellë midis popullit rumun dhe atij shqiptar, e pakursyer ka qenë mbështetja e dhënë prej tij edhe nëpërmjet Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), objektivi i së cilës është përfaqësimi i interesave të pakicës shqiptare.Rumania ka qenë një vatër e ngrohtë dhe shumë e rëndësishme politike e kulturore për patriotët dhe rilindasit kombëtarë, që punuan me përkushtim për Pavarësinë e Shqipërisë.Mbështetur mbi veprimtarinë frymëzuese të personaliteteve si Bogdan-Alin Stoica dhe mbi këto themele të forta të miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, të inkurajojmë më tej thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Rumanisë, që kanë një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej në të ardhmen”, shkruan Presidenti Meta në rrjetet sociale.

Ndërsa gjatë fjalës së Tij drejtuar personaliteteve të pranishëm në këtë ceremoni, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Kam nderin e veçantë të organizoj sot këtë ceremoni solemne për t’i akorduar Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” mikut të shqiptarëve, deputetit të Parlamentit të Rumanisë, z.Bogdan Alin Stoica, një personalitet i respektuar në politikën rumune.

Sot e vlerësojmë me mirënjohje për mbështetjen dhe promovimin e vazhdueshëm të vlerave më të mira të kulturës, historisë dhe traditave të shqiptarëve në Rumani, si dhe për ndihmesën e vyer në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar.

May be an image of 6 people, people standing and indoor

Është e pakursyer mbështetja e tij dhënë nëpërmjet Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), objektivi i së cilës është përfaqësimi i interesave të pakicës shqiptare atje, që renditet e dyta në mesin e pakicave kombëtare në Rumani, si në drejtim të promovimit dhe ruajtjes së identitetit etnik, kulturor e gjuhësor, ashtu edhe në planin politik.

Deputeti Bogdan-Alin Stoica është mjaft aktiv edhe në promovimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit dhe njohjes së ndërsjellë midis popullit rumun dhe atij shqiptar.

Nga viti 2018, ky deputeti promovon në mënyrë aktive jo vetëm komunitetin shqiptar në Rumani, por edhe imazhin e Shqipërisë dhe kombit tonë, duke qenë nënkryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Republikën e Shqipërisë.

Në zgjedhjet e dhjetorit 2020, kandidati i ALAR u rizgjodh për një mandat të dytë duke marë pothuajse 10,000 vota më shumë.

Për t’u vlerësuar është gjithashtu dhe aktiviteti i shoqatës ALAR për numrin e madh të veprimtarive kulturore, botimeve të librave, revistave, CD-ve me muzikë tradicionale shqiptare, apo festivaleve që u kushtohen shqiptarëve të Rumanisë, ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe përvjetorë të personaliteteve shqiptare.

Përveç të tjerash, do të doja të veçoja vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj-Kastrioti Skënderbeu, në qytetin e Krajovës, organizimin e përvitshëm të ditëve të kulturës shqiptare në Rumani dhe ngjarje të tjera të rëndësishme.

Një falënderim të veçantë sot, është për Dr. Luan Topçiu,  shkrimtar, përkthyes dhe ish-diplomat, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, fitues i Çmimeve Kombëtare, si dhe Kalorës i Urdhrit për “Merita Kulturore” të akorduar nga Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në aktivitetin e Qendrës Kulturore Shqiptare, ku ai është koordinator.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t‘i referohem dhe të vlerësoj kontributin e vyer të shqiptarëve të Rumanisë ndër shekuj, në afirmimin e kulturës dhe historisë shqiptare, në ndihmesën që ata iu ofruan studiuesve të huaj për studimet  e tyre për shqiptarët, dhe veçanërisht, edhe në zhvillimet politike dhe pavarësimin e Shqipërisë. Shqiptarët e mërguar në Rumani, duke pasur mundësi për organizim, filluan të angazhoheshin për zgjidhjen e çështjes që ata e quanin të shenjtë – çështja kombëtare.

Në Bukuresht në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX u formuan shoqëritë Drita dhe Dituria, u themelua shkolla e parë normale shqipe, në vitin 1907 Asdreni shkroi vjershën “Betimi mbi flamur”, e cila u bë Himn Kombëtar.

Në po të njëjtin vit, u formua Dega e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Bashkimi”, në Konstancë.

Një ngjarje tjetër e shënuar në historinë e popullit shqiptar si datë me rëndësi të jashtëzakonshme është 5 nëntori i vitit 1912. Dhe në këtë ditë në hotelin “Kontinental” në Bukuresht, me procesverbal u vendos që të shpallet Pavarësia e Shqipërisë, aty u zgjodh delegacioni nga radhët e kolonive shqiptare, i cili së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Vlorë.

Të gjitha këto shërbejnë si themele të forta në miqësinë ndërmjet popujve tanë. Duke ju inkurajuar që ta thellojmë edhe më shumë këtë miqësi, unë ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, dhe uroj që  të kemi sa më shumë aktivitete të tilla të përbashkëta!

/Argumentum.al