Prof. Dr. Enver Bytyçi
Prej kohësh, pra prej muajsh, zhvillohen debate rreth luftës në Ukrainë dhe asaj në Gaza. Ndodhën sulme ushtarake të Izraelit kundër Iranit si dhe një bombardim amerikan kundër këtij vendi. U takuan presidentët Trump dhe Putin në Alaska, si dhe u bënë takime të përbashkëta në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqësve evropianë me presidentin amerikan. Ka gjithë ato ecejake diplomatike në kërkim të paqes. Ndërkohë Pekini hesht. Thuajse asnjë fjalë nuk thuhet prej kohësh nga ana e udhëheqësve kinezë. Pse po ndodh diçka e tillë? Si është e mundur që Fuqia e dytë më e Madhe e globit të jetë kaq indiferente, megjithëse mediet dhe eksponentë të ndryshëm nuk lanë rast pa e akuzuar Republikën Popullore të Kinës, se ajo dëshiron të pushtojë Tajvanin dhe të krijojë një vatër të re konflikti në Azi?

Nëse qëndrojmë për pak kohë dhe hedhim një vështrim nga historia e diplomacisë kineze, atëherë vemë re se karakteristika themelore e kësaj diplomacie në traditë është durimi, mënjanimi i pasioneve dhe emocioneve politike në deklarimet dhe veprimtarinë diplomatike. Kjo karakteristikë në fakt buron prej filozofisë së Konfucit, filozofi e cila është burim orientimi edhe për politikën e diplomacinë e sotme kineze. Duke hulumtuar për marrëdhëniet shqiptaro-kineze në vitet 1960-1970 kam vënë re qetësinë “e frikshme” dhe një lloj sinqeriteti të pazakontë në komunikimet midis psh Çu En Lait dhe udhëheqësve komunistë shqiptarë. Nuk kam mundur të gjej ndonjë mospërputhje midis realitetit dhe pohimeve diplomatike të përfaqësuesve të Kinës, ndërkohë që kam gjetur jo pak mospërputhje në qëndrime e pasinqerta të lidershipit të Tiranës komuniste. Kjo është një nga arsyet pse sot Republika Popullore e Kinës qëndron në një anë dhe nuk përfshihet as në zgjidhjen e konflikteve të rrezikshme të kohës së sotme.
Është e vërtetë se qeveria dhe presidenti kinez kanë interesa të ndryshme në zona dhe rajone të ndryshme në botë. Pjesë e përpjekjeve për të garantuar interesat e tij janë edhe marrëdhëniet me Rusinë dhe disa vende të tjera. Një fuqi kaq e madhe dhe e zhvilluar, nuk ka sesi të mos jetë e interesuar për zhvillimet që ndodhin, sidomos në Ukrainë dhe në Gaza. Gjithashtu nuk ka se si të mos përpiqet të investojë dhe zhvillojë marrëdhënie tregtare dhe ekonomike me vende e rajone të ndryshme të globit. Por më sa duket Pekini mendon që një angazhim aktiv i tij në politikat globale nuk i ndihmon zgjidhjes së konflikteve, sepse do të shihej me xhelozi dhe si përpjekje e tij për dominim politik në planin global. Ndaj dhe presidenti Xi ose kryeministri apo ministri i Jashtëm kinez nuk kanë shprehur pretendime për t’u bërë qoftë dhe formalisht pjesë e zgjidhjes. Kjo lidhet njëkohësisht me karakterin e lidershipit kinez, i cili nuk vuan nga mania për prestigj.
Nga ana tjetër, Republika Popullore e Kinës është shprehur se respekton rendin e sotëm global. Dhe në këtë kuadër ajo është deklaruar edhe për një zgjidhje në Ukrainë, ku të ruhej integriteti territorial i saj. Ajo nuk e ka njohur pushtimin rus të Krimesë. Megjithatë Pekini nuk ia jep të drejtën vetes të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij konflikti. Qëndron krejt indiferent dhe në këtë indiferentizëm reflekton fuqinë e sigurinë e tij. Ndërkohë që vende të tjera, sidomos Franca e Macron, janë të alarmuar, Kina jep leksionin se gjithçka është e mundur në rrugën e zgjidhjes së konflikteve të sotme. Duke respektuar rendin e sotëm botëror Pekini reflekton gjithashtu qëndrueshmëri dhe gjithashtu besim më të madh te popujt, sidomos te kombet e vegjël. Kjo strategji është për lidershipin kinez më e rëndësishme se sa fitorja e ndonjë beteje ushtarake.
© 2025 Argumentum