Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi ashpër sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke i cilësuar si joproporcionale dhe me pasoja të rënda për civilët, gjatë një fjalimi në një konferencë politike në Rimini.
Duke komentuar luftën gati dyvjeçare që pasoi sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, Meloni tha se “ka pasur shumë viktima të pafajshme” dhe theksoi se “reagimi izraelit ka shkuar përtej parimit të proporcionalitetit”. Ajo paralajmëroi se kjo situatë po rrezikon “perspektivën historike” për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.
Kryeministrja përmendi gjithashtu vrasjen e pesë gazetarëve në Gaza këtë javë, të cilën e përshkroi si “një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së shtypit dhe të gjithë atyre që rrezikojnë jetën për të rrëfyer dramën e luftës”.
Meloni përsëriti mbështetjen e Italisë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje pas sulmeve të Hamasit, por nënvizoi nevojën për ndalimin e ofensivës ushtarake dhe për sigurimin e aksesit të plotë për ndihmën humanitare në Gaza. Ajo kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve nga Hamasi.
Në një tjetër pjesë të fjalimit, Meloni foli për qëndrimin e Italisë në krizën ruso-ukrainase, duke theksuar mbështetjen për përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA dhe lavdëruar “rezistencën heroike të popullit ukrainas”. Ajo theksoi rëndësinë e një sistemi sigurie për Kievin, të frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s, si një çështje kyçe në tryezën diplomatike ndërkombëtare.
Meloni gjithashtu deklaroi me krenari se Italia ka rikthyer rolin e saj qendror në skenën globale, duke shtuar se vendi nuk shihet më si “i sëmuri i Evropës”, por si një “anomali pozitive”.
/Argumentum.al