Në një lartësi 5 250 metra mbi nivelin e detit në Rajonin Autonom të Xizang-ut të Kinës Jugperëndimore, një “sy” i ri mbi “fëmijërinë” e universit është çelur.
Shkencëtarët e Institutit të Fizikës së Energjisë së Lartë (IHEP) në Akademinë Kineze të Shkencave njoftuan të dielën se teleskopi i tyre “AliCPT-1” ka kapur imazhet e parë të qarta të Hënës dhe Jupiterit në 150 GHz, çka shënon nisjen zyrtare të përpjekjeve të Kinës për të kapur valët gravitacionale fillestare.
Këto valë, që mund të quhen figurativisht si pëshpëritje të dobëta nga agu i kohërave, mund të mbajnë çelësin për të shpjeguar se si filloi universi.
foto nga VCG
Nëse e mendojmë universin si një foshnjë të sapolindur, valët gravitacionale fillestare janë të qarat e para të saj. Këto sinjale vështirë të kapshme, të krijuara prej luhajtjeve kuantike në hapësirë e kohë gjatë epokës së “bymimit kozmik”, janë valët më të hershme “të skalitura” në strukturën e kozmosit.
Gjurmimi i valëve gravitacionale fillestare besohet të jetë një provë kritike e origjinës kozmike, duke hulumtuar bymimin dhe gravitetin kuantik.
“Nëse zbulojmë me sukses valët gravitacionale fillestare, ne do të hedhim një vështrim mbi universin në momentin e tij të parë,” tha Zhang Xinmin, kërkues në IHEP.
foto nga VCG
Ndërtimi i teleskopit, i drejtuar nga IHEP, u krye në tetë vjet nga një konsorcium botëror prej 16 anëtarësh, duke përfshirë Observatorët Astronomikë Kombëtarë të Kinës dhe Universitetin e Stanfordit.
Teleskopi, i vendosur në “çatinë e botës”, është projektuar për t’i shpëtuar avullit të ujit atmosferik që do të mbyste “pëshpërimën” e valëve gravitacionale fillestare.
Njihen vetëm katër vende në Tokë ku mund të bëhen vëzhgime të tilla: Antarktika, shkretëtira Atakama e Kilit, rrafshnalta Qinghai-Tibet dhe Groenlanda, u shpreh Liu Kongzhan, menaxher projekti i eksperimentimit të teleskopit./cgtn