Donald Trump tha se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord të fillonin “menjëherë” bisedimet për armëpushim të hënën, pasi presidenti amerikan foli për më shumë se dy orë në telefon me homologun rus Vladimir Putin.
“Sapo përfundova telefonatën time dy-orëshe me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Besoj se shkoi shumë mirë”, tha Trump në rrjetin e tij “Truth Social”.
“Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një Armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, një FUNDI të Luftës”.
Trump shtoi se “toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera”.
Vatikani – ku Papa Leo XIV u zgjodh së fundmi si papa i parë amerikan – do të ishte “shumë i interesuar” të priste bisedimet Rusi-Ukrainë, shtoi Trump.
Nga ana e tij Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum mbi një marrëveshje të ardhshme paqeje që mund të përfshijë çështje të armëpushimit dhe parime të zgjidhjes së konfliktit.

“Rusia është e gatshme dhe do të vazhdojë të punojë me palën ukrainase për një memorandum mbi një traktat të mundshëm paqeje në të ardhmen që përshkruan një numër pozicionesh, të tilla si, për shembull, parimet e zgjidhjes, afati kohor për nënshkrimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje e kështu me radhë, duke përfshirë një armëpushim të mundshëm për një periudhë të caktuar në rast se arrihen marrëveshje përkatëse”, u tha ai gazetarëve pas një telefonate me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Udhëheqësi i Kremlinit dukej se dha një nga shenjat më konkrete deri më tani se ishte gati të diskutonte përfundimin e pushtimit të fqinjit të saj nga Moska, i cili ka qenë aleat me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Ishte shumë informuese dhe shumë e hapur dhe në përgjithësi, sipas mendimit tim, shumë e dobishme”, tha Putin për mediat ruse pas telefonatës.
Thuhet se Trump foli me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përpara telefonatës me Putinin.
Në rrjetet sociale, Trump tha se i kishte “informuar” Zelensky-n, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, dhe udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Finlandës për rifillimin e bisedimeve të paqes në një telefonatë menjëherë pas bisedës së tij me Putinin.
Bisedimet e javës së kaluar në Stamboll ishin negociatat e para të drejtpërdrejta midis palëve për tre vjet, me pjesëmarrjen e zyrtarëve amerikanë. Por takimet përfunduan pa një angazhim për një armëpushim.
/Argumentum.al