Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, emri i së cilës u përmend pak ditë më parë nga kreu i qeverisë Edi Rama pasi nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit, i është drejtuar me një letër Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku kërkon reagim publik për mbrojtjen e figurës dhe pavarësisë së magjistratëve.
Nëpërmjet një letre, Gjeli shprehet se është e gatshme të përgjigjet para çdo institucioni për akuzat ndaj saj dhe kërkon nga KLP që të analizojë situatën në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe ndarjes së pushteteve.
Ajo kërkon gjithashtu që KLP të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së prokurorëve nga sulmet politike.
Në kërkesën e saj drejtuar KLP-së, Gjeli kërkon që “të ndërmerren hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura”.
“Jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli, në letrën drejtuar KLP-së.
“Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura. Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli në letrën drejtuar KLP sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
“Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lancimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment.
Nëse një Prokuror, i cili është duke hetuar aktualisht dhe duke konkluduar se do të merren në përgjegjësi penale disa punonjës të IMT Malësi e Madhe për ndërtim të paligjshëm, në të kundërt ka kryer shkelje në drejtim të vendimmarrjes së tij të atakuar nga opinioni publik për rastin në fjalë, do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato institucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimmarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese”, shprehet në letër Gjeli.
/Argumentum.al