Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën në Pekin me ministrat e jashtëm dhe drejtuesit e organeve të përhershme të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), që gjenden në Kinë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shteteve Anëtare të OBSh-së.
Xi vuri në dukje se, gjatë 24 vjetëve që nga themelimi i saj, OBSh-ja ka ruajtur gjithmonë Shpirtin e Shangait, është bërë një organizatë e pjekur dhe e fortë dhe ka dëshmuar gjallëri të madhe.
Kina i ka dhënë përherë përparësi OBSh-së në diplomacinë e vet me vendet fqinje dhe është e angazhuar për ta bërë këtë organizatë më të rëndësishme dhe më të fortë, për të mbrojtur sigurinë e qëndrueshmërinë rajonale dhe për të nxitur zhvillimin dhe begatinë e vendeve anëtare, duke krijuar një bashkësi më të afërt me të ardhme të përbashkët, tha kreu i shtetit kinez.
Sipas tij, pasi mori kryesimin e radhës në korrikun e vjetshëm, Kina ka kryer aktivisht veprimtari e ka çuar përpara bashkëpunimin, dhe të gjitha palët kanë ndërmarrë hapa të vendosur për të ndërtuar së bashku një shtëpi më të mirë për OBSh-në.
Ndërsa Samiti i OBSh-së do të zhvillohet këtë vit në Tianjin të Kinës, Xi shprehu shpresën për të takuar aty udhëheqësit e vendeve të tjera anëtare për të diskutuar mbi zhvillimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Ai theksoi se, përballë një mjedisi ndërkombëtar të trazuar dhe në ndryshim, OBSh-ja duhet të mbetet e fokusuar, të ruajë besimin, të veprojë me efektshmëri e të luajë një rol më proaktiv, për të sjellë në botë më shumë qëndrueshmëri dhe energji pozitive.
Si kryetar i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të OBSh-së, kryediplomati kinez Wang Yi raportoi mbi progresin e aspekteve të ndryshme të punës dhe përgatitjet për Samitin e Tianjinit që kur Kina mori presidencën e radhës./cgtn