NGA DR. JORGJI KOTE
13 Korriku shënoi jubileun e 30-të të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës ( KiE) me seli në Strasburg. Kësisoj, mbas shumë peripecish dhe ”stazhit” gati pesëvjeçar si ” Vëzhgues” Shqipëria u bë anëtarja e 35 e KiE-së. Në këtë jubile të shënuar, duke parë hapat dhe arritjet e shumta dhe të njohura, duhen vlerësuar lart meritat e veçanta të KiE-së, të Kuvendit, MEPJ-së dhe institucioneve tona përkatëse, deputetët tanë anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Përfaqësia jonë Diplomatike në Strasburg me drejtuesit dhe stafet e tyre përkatëse. Pas OSBE-së, ky ishte anëtarësimi ynë i dytë në një organizatë të tillë të rëndësishme perendimore dhe në « filialet« e saj të njohura – Asamblenë Parlamentare dhe në Komitetin e Ministrave.
Padyshim ngjarje e rëndësishme sidomos në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Edhe pse raportet e atëhershme ndërkombëtare i ”rrubullakosnin” problemet tona, me konstatime jashtë realitetit se Shqipëria ishte në rregull dhe me shpresë se deficitet demokratike do të riparoheshin në proces. Themi kështu, se vetëm një vit përpara anëtarësimit në KiE ishte dënuar qartazi për motive politike lideri i PS-së, Fatos Nano. Po atë vit kishte dështuar Referendumi për Kushtetutën e re, ishin burgosur gazetarë dhe fjala e lirë, SHIK-u ndiqte dhe persekutonte kundërshtarë politikë, etj. Mirëpo, nisur nga mendimi i drejtë se ky antarësim do të parandalonte dukuritë negative dhe do të ndihmonte opozitën, dhe vetë lideri i PS-së Fatos Nano nga burgu i Bënçës dha miratimin e opozitës. Ky konsensus u shpreh publikisht dhe në Letrën që Fatos Nano i dërgonte Kongresit të PS-së në korrik të atij viti. Ishte një vendim i drejtë që tregonte shkallën e lartë të emancipimit dhe përgjegjësisë së PS-së së atëhershme, ashtu siç veproi pasardhësi i tij Edi Rama për anëtarësimin tonë në NATO, megjithë ” zullumet ” e PD-së dhe shpërthimin tragjik në Gërdec. Janë dy shembuj tejet pozitivë që tregojnë se sa shumë mund të bëhet kur mbi gjithçka vihen interesat madhore të vendit.
Për rrjedhojë, plot 30 vite më parë, ne ngritëm flamurin tonë në Strasburg, kryemetropoli europian me vlera të spikatura historike. Gjatë tre shekujve deri në mbarimin e Luftës së II Botërore Strasburgu ishte pika e nxehtë e ndarjes, ballafaqimeve ushtarake dhe nacionalizmit të egër franko-gjerman. Ja pse për të përjetësuar atë pajtim historik mes tyre dhe në plan mbarë europian, aty u vendos selia e Këshillit të Europës ( KiE) të krijuar më 5 maj 1949 e cila i parapriu krijimit të BE-së. Po në Strasburg u depozitua Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 1950 dhe u vendos Gjykata me të njëjtin emër e krijuar më 1959, e cila garanton në praktikë zbatimin e tyre. Pjesë e rëndësishme e KiE-së është dhe Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale. Ndërsa, më 10 maj 1990, pas shembjes së komunizmit në ish-Europën Qendrore dhe Lindore u krijua «Komisioni për Demokraci përmes Ligjit » me seli po në Strasburg; ndonëse ai njihet si «Komisioni i Venecias» meqenëse seancat plenare i zhvillon aty. Është organ konsultativ dhe krahu ligjor i KiE-së me 62 vende anëtare, 47 të Këshillit dhe 15 të tjera jashtë tij, duke përfshirë dhe Kosovën. Ndonëse opinionet e tij nuk janë të detyrueshme, fakti që vetë të interesuarit depozitojnë ankesa dhe niveli i padiskutueshëm i ekspertizës së tij të sprovuar u japin atyre fuqi dhe më të madhe ligjore, morale e politike. Ne jemi palë në të katërta këto institucione me emër.
Veç ndihmesës dhe rezultateve tona pozitive që gjinden në projektet, programet dhe raportet e shumta, përfshi dhe kryesimin tonë gjashtëmujor të KiE-së më 2012 – 2013, edhe dritëhijet, telashet dhe zhgënjimet me dhe ndaj KiE-së nuk janë më të pakta për shkak të vonesave, ankesave dhe mungesave tona të mëdha. Por dhe KiE ka « kusuret » e veta. Së pari, çuditërisht, ndonëse lideri i opozitës i asaj kohe, Fatos Nano siç u përmend më lart e bëri të vetën atëhere, qeveria dhe sidomos KiE-ja nuk u treguan luajalë dhe nuk bënë asgjë për lirimin e tij. Madje duket se Strasburgu e « hëngri sapunin për djathë » duke besuar gjepurat qeveritare mbi gjyqësorin e pavarur të «plepave » të Golemit!! As nuk u bë ndonjë rihabilitim për gazetarët e dënuar apo të anuloheshin disa ligje që binin ndesh me « frymën « e KiE-së. Këtu bën përjashtim Komisioni i Venecias që i kritikoi amendamentet e projekt-Kushtetutës, të cilin dhe shumica e kishte hedhur poshtë me referendum. Ndërkohë, Raporteri i KiE-së për vendin tonë, holandezi Van den Linden shquhej për njoftimet e sheqerosura mbi ” shetitjet” që bënte sa herë vinte në Tiranë. Së bashku me holandezin tjetër, Van den Broeck, Komisioneri i Lartë i BE-së kishin menduar që në vitin 1996 Shqipëria të nënshkruante Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, me qëllim që vendi ynë të bëhej model për të tjerët. Ky projekt fantazmë u shkërmoq me turp pas farsës/ masakrës zgjedhore më 26/28 Maj 1996 dhe sidomos shembjes së piramidave në Mars 1997. Kam qenë i pranishëm në disa takime gjatë vitit 1997 në Tiranë me drejtues të lartë të PS-së me Van den Linden, Doris Packun e Europarlamentit dhe të tjerë, të cilët vërtet ”nuk dinin ku të futeshin” dhe si t’u përgjigjeshin pyetjeve përse nuk e dëgjuan opozitën por vetëm « fyellin » e qeverisë !!!?
Por dhe vitet e mëvonshme nxuarrën sheshit konflitket dhe deficitet e shumta demokratike të vendit dhe politikës sonë. Dihet se demokracia nuk është e lehtë dhe probleme do të kishte e do të ketë; çështja ishte se në vend që këto telashe të vinin duke u holluar, po trasheshin në kulm. Në fakt, edhe pas viteve 2000, vështirë të ketë mbetur zyrtar dhe nga KiE-ja pa u përfshirë në vorbullën e krizave dhe konflikteve tona të ashpra politike dhe institucionale. Më 2007 u bë problem i madh zhvillimi i zgjedhjeve vendore, duke aktivizuar Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale. Po ashtu shpërtheu konflikti midis qeverisë së asaj kohe dhe Bashkisë së Tiranës lidhur me sheshin « Shqiponja » që solli shumë reagime dhe ardhjen e delegacioneve të ndryshme si ndërmjetësues të krizës dhe nga KiE-ja. Ndërsa për zgjidhjen e krizës së ashpër të vitit 2010 – 2011, KIE angazhoi vetë Presidentin e Asamblesë së saj Parlamentare, më vonë Ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cafusoglu, i cili erdhi më se njëherë në Tiranë për takime me palët në konflikt deri në realizimin e kompromisit në Restaurant « Chrocodile » në Strasburg.Më 2019, jehona dhe dilema politike « t’i bëjmë apo të mos i bëjmë zgjedhjet lokale më 30 Qershor » brengosi sërish Strasburgun politik. Ai reagoi duke mos dërguar vëzhgues dhe duke u shprehur me nota kritike për rezultatin e tyre. Le ta theksojmë me këtë rast se mendimi i KiE-së është pikë referimi për BE-në dhe OSBE-në në qëndrimet e tyre, pavarësisht dallimeve dhe diferencave. Telashe i kemi sjellë dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në dy drejtime kryesore: vonesa dhe mosrespektim kriteresh lidhur me kandidatët tanë për gjyqtarë atje, të cilat KiE i ka kthyer mbrapsht. Gjithsesi, problemet më të mëdha i kemi pasur me paditë e shumta për të drejtën e pronës të depozituara atje që janë vendosur në dëm të shtetit që është detyruar të bëjë dëmshpërblime në dhjetëra milionë euro. Ndërkaq, gjatë viteve 2019 – 2020 vendi ynë «përmbyti » Komisionin e Venecias me kërkesa, dërgesa dhe ankesa lidhur me interpretimin e disa projektligjeve dhe akteve kushtetuese. Natyrisht është e drejtë e çdo vendi anëtar të kërkojë opinione te Venecia, por jo ta tepërojë dhe për çdo gjë që me dialog dhe mirëkuptim mund ta zgjidhë vetë. Puna arriti deri aty sa atë ta mbiquanin ” Komisioni i Tiranës”!!! Padyshim që dështimi më i madh mbetet ende mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfshi dhe ato të 11 Majit 2025, si ”ADN”-ja e KiE-së dhe demokracisë për të cilat siç dihet Asambleja Parlamentare e KIE-së ka qenë tejet kritike.
Në përfundim, ky jubile i shënuar na sjell ndërmend faktin shqetësues se kemi 30 vjet që kemi shkuar në Strasburgun e KiE-së, por kemi ende shumë rrugë dhe punë për të shkuar në Brukselin e BE-së! Rikujtojmë me këtë rast se me përjashtim të vendeve të rajonit, të gjitha ” simotrat” tona lindore diferencën në kohë midis Strasburgut dhe Brukselit e kanë maksimumi 15 vjet. Ndërsa ne kemi plot 30 vjet që ”kemi shkuar” në Strasburg, por me Brukselin dhe tani, 11 vite si kandidat, nuk kemi çelur as negociatat, le pastaj mbylljen e tyre dhe anëtarësimin; ndaj dhe ky i fundit, qoftë dhe në vitin 2030 përbën rekord negativ më vehte dhe nuk le as një vend për ” rrahje gjoksi”! Ndaj, ky jubile europianr, krahas freskimit të kujtesës historike është më shumë një apel që klasa jonë politike të marrë më shumë përgjegjësi, të mos ua lerë « dopjo gjashtën» në dorë institucioneve ndërkombëtare, por t’i dali zot vehtes, duke u bërë zgjidhëse dhe jo pjesë e problematikave tona të shumta dhe të nxehta.
© 2025 Argumentum