Eurobarometri mbi zgjerimin konfirmoi se 92% e qytetarëve të Shqipërisë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Lajmin e bëri të ditur sot Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë Forumit Strategjik të Bled, që po mbahet në Slloveni, ndërsa shtoi se rezultatet e Eurobarometrit do të publikohen nesër.
Duke u ndalur te ecuria e procesit të integrimit, Kos u shpreh se “ne po punojmë shumë më shpejt, edhe nëse ndonjëherë Këshilli mund të mos lëvizë”.
“Në pjesën teknike ne po ecim përpara. Në tetë muajt e fundit kemi hapur më shumë grup-kapituj sesa në pesë vitet e fundit dhe kemi mbyllur më shumë kapituj sesa në 10 vitet e fundit. Do të hapim edhe dy grup-kapituj të tjerë me Shqipërinë këtë vit. Pra, kemi dakordësuar tani me Edin që të festojmë së pari në Bruksel, e pastaj, vitin tjetër, me një ndeshje futbolli mes vendeve kandidate dhe vendeve anëtare në Tiranë. Edhe presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, ndoshta dhe disa të tjerë”, u shpreh ajo.
Komisionerja Kos u shpreh se “deri në vitin 2029 mund të kemi anëtarin e 29-të të BE-së dhe shpejt pas tij edhe të 30-in”.
“Nëse Edi do të vazhdojë kështu siç po bën deri tani, shkëlqyeshëm, atëherë deri më 2029 mund të kemi anëtarin e 29-të të BE-së, dhe shpejt pas tij edhe të 30-in. Por atëherë mandati im shkon drejt fundit. Kështu që nuk më del koha vetëm edhe katër vjet të tjera.
Shpejtoni”, u shpreh ajo.
Duke komentuar rezultatet e Eurobarometrit për zgjerimin, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Bashkimi Europian është ‘perandoria’ e parë që shqiptarët e kanë përqafuar me zgjedhjen e tyre të lirë dhe përkushtimi ynë ndaj tij është i plotë”.
“Ne jemi njerëz besnikë, e di. Mbështetëm Perandorinë Osmane me 92%, mbështetëm Bashkimin Sovjetik me 92%, mbështetëm Kinën maoiste me 92% dhe tani mbështesim BE-në. Dhe më e mira është se edhe kur ata dështojnë, ne jemi me ta. Derisa të vijë dikush tjetër. Kështu që kur të dështoni ju, ne do të themi: Jo, ne jemi BE dhe pikë! Dua të kthehem një sekondë pas tek gjysmëshakaja gjysmë e vërteta për 92% tonë historik, sepse po, është e vërtetë. Por, në të njëjtën kohë nuk ka qenë kurrë zgjedhja jonë”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se “ne kemi qenë me gjithsej me të gjitha perandoritë, por ‘perandoria’ e parë që kemi përqafuar me zgjedhjen tonë të lirë është Bashkimin Europian”.
“Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj BE-së dhe arsyeja pse fituam fort këtë herë, mendoj, ishte e lidhur ngushtë edhe me zotimin e BE-së dhe me thirrjen që të gjithë njerëzit të mblidheshin rreth flamurit tonë për ta çuar atë në BE”, nënvizoi Rama.