Për Kosovën ndërkohë nuk ka të dhëna. Shpenzimet e ulta publike për shëndetësinë përkthehen jo vetëm në një sistem të dobët shëndetësor dhe të paaftë të përballojë kriza si kjo që ka goditur të gjithë botën, por transferojnë kostot direkt në xhepat e qytetarëve. Mungesa e shpenzimeve publike në sektor bën që qytetarët të pagujane vetë për shëndetin, nga xhepi i tyre. I njëjti raport i Bankës Botërore tregon se, Shqipëria ka normën më të lartë të shpenzimeve nga xhepi, në masën 50% të totalit të shpenzimeve për shëndetin.
Për vendet e tjera të rajonit, kjo normë është ndjeshëm më e ulët. Gjithsesi, Banka Botërore sinjalizon se këto shpenzime të ulta publike për sektorin, për fat të mirë, nuk janë përkthyer në një krizë më të rëndë shëndetësore nga Covid-19 në vendin tonë, të paktën deri më tani. Institucioni nënvizon gjithashtu faktin se sistemet shëndetësore në rajon janë bërë të cënueshme edhe nga migrimi i forcës së punës në sektor.