REAL POLITIK NR. 112
22 KORRIK – 19 GUSHT 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1.Alaska si kambanë alarmi për Europën!
Këtë thanë analistët dhe politologët e njohur pas takimit Trump – Putin më 15 Gusht në Anchorage, Alaska. Me tituj trishtues në shtypin dhe median ndërkombëtare: « kambanë alarmi, e premtja e zezë, samit pa rezultat, i turpshëm, fitore për Putinin, asgjë për Ukrainën, samit zhgënjyes për Europën!
Megjithatë, Europianët, humbësit më të mëdhenj të Alaskës bënë çmos për të kompensuar mungesën në Samit, duke ushtruar trysni maksimale mbi Trump. Krahas videokonferencës më 13/17 Gusht, Europa doli dhe me një paketë konkrete me pesë pika të njohura tashmë. Ndërsa, më 18 Gusht, shtatë të mëdhenjtë e Europës dhe NATO-s bashkë me Presidentin Zelenski muarën pjesë në Samitin historik në Shtëpinë e Bardhë ; atje, më të bashkuar se kurrë përballë kërcënimit rus ata treguan se nuk janë anësorë por aktorë madhorë, sidomos lidhur me arritjen e një paqeje të vërtetë në Ukrainë.

Padyshim, fituesi i madh është Presidenti Putin. Arritja e tij më e shënuar historike me këtë Samit ishte thyerja e izolimit perendimor si vizita e parë e një presidenti rus në SHBA nga viti 2010. Aty ai u rihabilitua dhe u trajtua si i barabartë, i mikpritur me tapet të kuq dhe me duartrokitje nga Trump, si çlirimtar dhe jo agresor i Ukrainës! Sukses tjetër për Putinin ishte zhvillimi i takimit në një ish territor rus me lidhje shpirtërore në SHBA.
Mbi të gjitha, Putin shkoi në Alaska me një bilanc pozitiv në frontin e luftës. Humbjet njerëzore nuk i ka problem, se Rusia rekruton çdo vit 200.000 trupa, shifër për t’u patur zili nga vendet e NATO-s!
Me këtë rast, le ta theksojmë se PO, Rusia kërkon territor, sa më shumë dhe sa më shpejt. Putini e ka deklaruar se shembja e ish BS-së më 1990 ishte katastrofa më e rëndë gjeopolitike e vendit dhe se ai është i vendosur ta rikrijojë atë. Këtë mesazh e dha dhe Krydiplomati rus Lavrov përpara gazetarëve në Anchorage me bluzën me mbishkrimin CCCP, dmth Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike!
Ja pse liderët europianë ndërprenë pushimet verore, po mbledhin kabinetet qeveritare dhe komunikojnë intensivisht me njeri tjetrin; që të intensifikojnë reformat madhore ushtarake për të shmangur rreziqet që u kanosen dhe për të mbrojtur paqen, stabilitetin, sigurinë dhe vlerat themelore europiane.
2. Si kundërshtarë tregtarë! Kështu po shfaqen në fushën ekonomike SHBA-të dhe BE-ja. Ndryshe nga muaj më parë, kur silleshin si aleatë dhe partnerë tradicionalë vlerash, parimesh dhe interesash Euro-Atlantike. Presidenti Trump po zbaton doktrinën e Transaksionalizmit, që vendos fitimin tregtar mbi gjithçka. Nuk ka rëndësi nëse je aleat, vend demokratik, autokrat. Rëndësi ka që Amerika e Para të bëhet madhështore dhe kjo nëpërmjet fitimit dhe realizmit të interesave të tyre ekonomike. Dhe më parë ka patur konflikte tregtare midis tyre, sidomos për çeliqet, tekstilet dhe produktet bujqësore; por ato janë zgjidhur në mirëkuptim me masa të ndryshme në frymë partneriteti, duke i lënë në fund dhe në një shkallë shumë më të vogël tarifat tregtare. Ndërsa sot, negociatat mes tyre u ngjajnë pazareve, duke luajtur dhe bërë presion me këto tarifa me të gjitha vendet pa dallim. Vërtet që SHBA-ta kanë deficit të madh tregtar me BE-në; por ky problem mund të zgjidhet shumë më mirë me nxitjen e shkëmbimeve ekonomike, të investimeve dhe jo me tarifa doganore; kur as vetë SHBA-të nuk janë të imunizuar prej efekteve të tyre të dëmshme. Gjithsesi, le të gëzojmë që ky problem është në rrugën e zgjidhjes. Kritikat për BE-në janë të drejta në parim, por Komisioni nuk kishte alternativë tjetër, duke patur parasysh dhe mbështetjen amerikane për Ukrainën.

3. Palestina dhe zgjidhja me dy shtete! Ka dalë sot në krye të rendit të ditës sidomos pas deklaratës së Presidentit Francez Macron për njohjen e saj në sesionin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator në Nju Jork. Pavarësisht nga kritikat qortuese amerikane dhe izraelite dhe brenda vendit nga komuniteti hebrej, kjo nismë ka patur jehonë dhe sukses. Fill pas Makronit, njohjen e Palestinës do ta bëjnë në shtator dhe Britania e Madhe, Kanadaja, Portugalia dhe vende të tjera. Në fakt, siç e kemi shpjeguar në disa shkrime dhe këtu te ARGUMENTUM, pa futur në lojë Autoritetin Palestinez dhe pa njohjen e shtetit të Palestinës nuk mund të ketë armëpushim e ca më pak paqe të ëvrtetë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Njohja e shtetit të Palestinës është hapi i parë që do shoqëruar me çarmatosjen dhe largimin e Hamasit, reformimin e Autoritetit Palestinez që të jetë në gjendje të admnistrojë dhe Gazën. Ky mendim dhe synim po gjen përkrahje gjithnjë e më të madhe kudo në botë edhe brenda SHBA-ve.

Realisht, siç e tha ca kohë më parë dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Guteres, zgjidhja me dy shtete duket më e largët se kurrë, por dhe pa asnjë alternativë tjetër.
3. Kur Prishtina “mbytet me një lugë uji!” Kjo thënie e mençur i shkon shumë situatës në Kosovë, kur mbas 53 orvatjejeve, të shpallura gjithsesi gjithsesi ë pavlefshme, Kuvendi nuk ka zgjedhur dot Kryetaren, gjëja më elementare në botë. Për pasojë, 6 muaj pës përfundimit të zgjedhjeve parlamantare, Kosova është pa Kuvend të konstituuar dhe pa qeveri, duke përcjellë një imazh dhe perceptim publik ndërkombëtar tejet negativ. Tani po shpenzon kohë dhe energji me procese gjyqësore, kur dihet se në një vend demokratik janë partitë politike ato që zgjidhin krizat dhe situatat e vështira. Por kjo kërkon zbatimin prej tyre të komponentëve jetikë demoratikë – dialogu me opozitën, lëshimet, kompomiset, fleksibiliteti, mirëkuptimi dhe besimi reciprok.

E pakuptueshme pse qeveria duhet të ngulte këmbë si “mushkë xanxare” për kandidaturën e saj! Opozita në këtë rast ishte në të drejtën e vet, se nuk është notere e qeverisë. Ah, në rast se ajo do të kundërshtonte një ose 2 kandidatura te shumicës, atëhere po, faji do të ishte i saj. Dhe në këtë situatë, “kur po mbytesh me një lugë uji”, të kërkosh anëtarësimin në NATO dhe në KiE është e pakuptimtë dhe “ luks” diplomatiK. Sepse BE, KiE, NATO nuk janë vende kafenesh dhe muhabetesh pazari, por klube politike, institucionale, vlerash e parimesh, ku duhet të plotësosh disa kritere që të hysh. Për fat të keq, Prishtina është shumë më larg se sa mund të mendohet dhe në këtë aspekt.
© 2025 Argumentum