NGA DR. JORGJI KOTE
Aleanca më e madhe Euro-Atlantike midis SHBA-ve dhe BE-së në bashkë me sfidat madhore e të shumëfishta që ka përballuar lindi, u zhvillua dhe fuqizua në 80 vitet e fundit në radhë të parë dhe mbi të gjitha si Bashkim emblematik i vlerave, parimeve dhe interesave të përbashkëta perendimore për paqe, siguri, begati, stabilitet dhe demokracinë liberale. Në krye të saj ka qenë vazhdimisht dhe e çmuar nga të gjithë aleatët e tjerë SHBA-të. Një histori kjo suksesi me plot akte dhe fakte të njohura, nga fitorja e Luftës së II Botërore, krijimi i rendit të ri ndërkombëtar, NATO/BE-ja, shembja e Murit të Berlinit, ribashkimi europian dhe arritje të tjera.
Mirëpo në 6 muajt e Presidencës së dytë Trump gjërat nuk po shkojnë ashtu si duhet brenda dhe jashtë kësaj Aleance; së pari po merr goditje të rënda rendi botëror i krijuar në vitin 1945, i mbështetur mbi forcën e të drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh nëpërmjet organizatave ndërkombëtare, etj.
Ndërsa tani po konturohet një rend tjetër, i bazuar pothuajse totalisht mbi interesa dhe përfitime komerciale e në dëm të njeri tjetrit, sipas parimit “ fiton më i forti”. Ca me tepër kur po duket qartë se thelbi i doktrinës politike Trump është pikërisht transaksionalizmi, me fjalë të tjera etja, rendja dhe fetishizimi i fitimeve ekonomike dhe tregtare në procesin vendimarrës gjeopolitik. Problemi është se kjo ndarje dhe përçarje brenda Aleancës Perendimore po bëhet vërtet brenda natës dhe si me thikë, pa u lënë kohë aleatëve perendimorë europianë që të marrin masat e duhura mbrojtëse dhe pa garanci të qarta në rastin e një agresioni ushtarak kundër tyre.
Në këto kushte, parimet dhe praktikat e Aleancës dhe partneritetit të ngushtë perendimor po zëvendësohen me komponentë të tjerë atipikë, me sjellje dhe qëndrime krejtësisht të ndryshme politike dhe protokollare mes liderëve europianë dhe amerikanë. Kjo bie në sy dhe në samitet e ndryshme, takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe në metropolet europiane. Dikur takimet në Shtëpinë e Bardhë ishin pothuajse festë, me plot përmbajtje, me ngrohtësi dhe lirshmëri nga Reagani, Bushët, Clinton, Obama dhe Biden, plot mesazhe miqësore, natyrisht duke ruajtur konsideratën dhe respektin për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa tani po ndodh e kundërta. Liderët europianë janë shtrënguar të venë në përdorim të gjithë “ arsenalin” e tyre protokollar, “fuqinë e butë” “diplomacinë e sharmit”, “të eceejakeve”, etj deri në aspektet më elementare të ceremonialit protokollar, duke kaluar në shumë raste “ prapa liste” përmbajtjen dhe tematikën; dhe kjo vetëm e vetëm që të mos i prishin humorin, të mos e mërzitin apo bezdisin “Sherifin” e ri. Shkurt, takimet në Zyrën Ovale janë kthyer në makth për liderët europianë.
Mirëpo këto sjellje dhe qëndrime ultra paternaliste nga ana e Presidentit Trump kanë shtruar pyetjen madhore nëse përputhen me statusin e SHBA-ve si aleatë dhe partnerë strategjikë me BE-në dhe kryesorja, a do t’ia arrijnë këta të fundit qëllimit të tyre për mbajtjen dhe forcimin e Aleancës me “ diplomacinë përkëdhelëse” ndaj Presidentit Trump? Ish Ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher është shprehur kundër “ marrjes me të mirë të Trumpit’ dhe se ajo nuk do të ndryshojë gjë në qëndrimet e tij gjeopolitike afat-gjatë. Ndaj, kjo sjellje sipas tij nuk të çon kund; ajo duhet të zëvendësohet me korrektësi, seriozitet dhe dinjitet.
Ndryshe, siç pohojnë shumë analistë dhe politologë, po të vazhdojë me këto sjellje, vendet europiane dhe lidershipet e tyre rrezikojnë të humbasin dinjitetin e vet, duke u kthyer nga aleatë dhe partnerë në shtete vasalë/satelitë. Ky shqetësim po përforcohet më tej dhe nga disa raste pikantë të mëposhtëm të muajve të fundit.
Pas vizitës së Kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë më 6 Qershor, shtypi gjerman dhe ai i huaj njoftonin me tituj bombastikë se ai e “kaloi provimin“! Mund të tingëllojë e çuditshme, por takimi i Kancelarit Merz me Presidentin Trump ishte vërtet test i vështirë politik me element shkollorë!
Duke parë se si Trump gati e flaku jashtë Zyrës Ovale Presidentin ukrainas Zelenski më 28 Shkurt dhe incidentin e mëvonshëm me Presidentin Jugafrikan Ramaphosa, Kancelari Merz iu nënshtrua një përgatitjeje serioze protokollare të pashembullt. Pik së pari, ai telefonoi homologët britanikë, francezë, italianë, dhe Presidentin Zelenski për të dëgjuar sugjerimet e tyre taktike; Merz bisedoi me psikologë dhe ekspertë të gjuhës së trupit, deri aty dhe si ta thoshte sa më bukur “Thank you“! Këshilltarët e tij më të afërt kaluan netë pa gjumë, duke vrarë mendjen për çdo situatë të pakëndshme dhe problematike që mund të krijohej dhe si të dilej “pa u lagur“ dhe “ pa dëme kolaterale” në publik dhe në imazh. Ndërkohë, Merz kishte me vehte një garderobë me 16 kostume për t’i patur për çdo rast.
Gjithsesi, Merz ishte dhe me më shumë fat për atë “provim“. Pikërisht ditën e takimit të tij, ishte njoftuar prishja e miqësisë së Trump me Elon Musk. Nga ana tjetër, gjesti i Trump për ta akomoduar Merz-in në Shtëpinë Presidenciale “Blair“ ishte mesazh dhe ogur i mirë për takimin në fjalë. Hyrja më e bukur në bisedën e tyre ishte padyshim zgjedhja domethënëse e dhuratës simbolike nga Merz, akti origjinal gjerman i lindjes së gjyshit të Trump, Friedrich që në Amerikë e kishte kthyer në Frederik, çka e preku thellë Presidentin Trump.
Merz kishte dhe disa cilësi të tjera ndihmëse dhe shpëtimtare në atë takim. Ashtu si Trump, pas shkëputjes nga politika aktive në vitin 2008 edhe Merz kishte punuar 10 vjet si afarist dhe drejtues në një kompani të njohur amerikane, fakt tjetër që Trump e çmoi. Shto këtu dhe faktin që falë anglishtes së kënaqshme, dhe në shenjë mirësimit, Merz nuk mori me vehte dhe nuk përdori përkthyes. Trump e vlerësoi këtë, duke nënvizuar aksentin e këndshëm gjerman të anglishtes së Merz.
Mbi të gjitha, me “revolucionin“ në fushën e mbrojtjes, duke shpallur Gjermaninë si fuqinë e ardhëshme më të madhe ushtarake në Europë dhe objektivin 5 për qind të GDP-së për NATO-n, Merz tashmë e kishte pothuajse të kaluar testin ” Trump”.
Ndërkohë, Merz nuk bëri asnjë gabim gjatë takimit me Trump më 6 Qershor; por kjo kryesisht për ironi të faktit se gjatë 45 minutave që zgjati takimi, Merz foli vetëm 4 minuta, për shkak të monologimit të vazhdueshëm të Trump. Ai e kaloi me finesë dhe ndërhyrjen e Trump për operacionin e famshëm ushtarak të aleatëve në Normandi, duke e quajtur “ditë të keqe për gjermanët“, me mirënjohje për SHBA-të që çliruan Gjermaninë dhe se ajo kishte në dorë dhe fundin e luftës në Ukrainë. Pranimi i ftesës për vizitën në Gjermani nga Trump ishte “qershiza mbi tortën“ e takimit. Përmbajtja e bisedës, Ukraina, Lindja e Mesme, tarifat doganore kishin pak rëndësi në atë takim. Përcaktuese ishe forma, që Merz doli i nderuar, duke shmangur çdo incident e duke vijuar i qetë kancelarinë e tij.
Duke kaluar te Samiti i NATO-s në Hagë më 24/25 Qershor kemi të njëjtat halle, skema dhe veprime përgatitore protokollare nga lidershipi europian i NATO-s.
Shqetësimi më i madh deri në përfundimin e Samitit ishte sërish prania dhe mikpritja e Presidentit Trump, që të mos përsëritej skenari i Samitit në Bruksel më 2018, kur ai kërcënoi për një tërheqje të mundshme nga Aleanca. Ndaj dhe preokupimi i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s dhe suksesi më i madh i Samitit ishte që Presidenti Trump të ndihej sa më mirë dhe sa më rehat, që të mos bezdisej dhe të mos zhgënjehej në asnjë aspekt. Qëllimi përfundimtar ishte që Trump të qëndronte deri në fund dhe e të mos largohej para kohë, siç bëri në Samitin e G – 7 në Kanada më 16 Qershor.
Me këto aspekte vendimtare u muar intensivisht vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte; ai njihet dhe si “ pëshpëritës” në veshin e Trumpit, që vite më parë me mjeshtërinë diplomatike e bindi atë për dobinë e NATO-s.
Po nga ky merak, për të shmangur ndonjë incident dhe “sherr” politik u bënë shumë ndryshime, në dukje proceduriale por në fakt jetike për kohëzgjatjen, mbarëvajtjen dhe suksesin e Samitit. Kështu, nga tre ditë sipas traditës, Samiti u shkurtua në vetëm 24 orë, sepse Trump nuk i ka për zemër protokollet dhe formalitetet e rastit. Me vetëm një seancë plenare 150 minuta. Gjithashtu, ishin vetëm dy panele kushtuar shtimit të shpenzimeve për fuqizimin e kapaciteteve ushtarake të NATO-s dhe tjetri forcimit të industrisë ushtarake. Pati vetëm një darkë protokollare nga Mbreti dhe një fjalim kryesor më 25 Qershor nga Presidenti Trump. Edhe Këshilli Atlantik u mblodh vetëm një herë këtë radhë.
Po ashtu, Deklarata Përfundimtare e Samitit ka vetëm 5 nga 40 që kishte Deklarata e Uashingtonit dhe 90 paragrafe ajo e Vilniusit. Mark Rutte i parapriu kësaj “ me lezet” duke thënë se nuk ka përse të përsëriten gjëra që janë thënë.
Po ashtu, për të mos e bezdisur Trumpin dhe për të shmangur çdo “mollë sherri” që mund “ta hidhte në erë” Samitin, krejt ndryshe nga Samiti i NATO-s në Uashington në korrikun e kaluar, Deklarata e Hagës e shmangu përmendjen e agresionit rus kundër Ukrainës, duke e kaluar thjesht me një shprehje për mbështetjen ndaj Kievit dhe nevojën e përfundimit të luftës në Ukrainë dhe për paqe. Ndonëse Presidenti Zelenski ishte i ftuar në darkën mbretërore më 24 Qershor dhe u takua më në fund me Presidentin Trump, në Hagë ai ishte figurë anësore, krejt ndryshe nga Uashingtoni ku ishte i ftuari special dhe ” Ylli” i Samitit. Duke vijuar me përmbajtjen, objektivi i vetëm madhor për të cilin u diskutua dhe u miratua ishte rritja e shpenzimeve ushtarake të çdo vendi anëtar të NATO-s, me përjashtim të SHBA-ve, pas kërkesës së Presidentit Trump, dhe Spanjës, për pamundësi financiare, të pranuar nga të gjitha vendet anëtare nga 2 në 5 për qind, ku 3,5 për qind do t’i kushtohen kapaciteteve dhe industrisë ushtarake, ndërsa 1,5 për qind infrastrukturës dhe logjistikës mbështetëse.
Për fat të mirë, duke ia ditur për nder Trumpit që e mobilizoi “ me hir ose me pahir” Europa shkoi në Samit me një bilanc premtues; ajo tashmë e ka filluar procesin historik të transformimit të saj epokal dhe në një Bashkim të Madh Mbrojtës.
Madje, tani në Europë po flitet gjithandej për “ Europianizimin” e NATO-s, që Europa të veprojë e të mbrohet vetë, me por dhe pa mbështetjen amerikane.
Për rrjedhojë, Presidenti Trump mbeti shumë i kënaqur nga prania në Hagë dhe miratimi i objektivit 5 për qind si një fitore e tij monumentale. Shpresohet se me atë rast Trump mund të nxjerrë përfundimet përkatëse, për t’i qëndruar fort Aleancës Perendimore. Sepse, siç e ka pohuar dhe Ish Komandanti i Trupave Amerikane të NATO-s në Europë gjatë viteve 2014 – 2017, Gjenerali Ben Hodges, në një intervistë më 23 Maj për ” Le Monde”, “ megjithë fuqinë e madhe ushtarake, SHBA-të nuk mund t’u bëjnë ballë të vetme sfidave serioze gjeopolitike dhe ushtarake; ato kanë nevojë për aleatë. Dhe aleatët më të besueshëm për SHBA-të në 80 vitet e fundit janë BE-ja, Kanadaja dhe Australia”
Ja përse vendet europianë dhe liderët e tyre nuk ka përse të vihen në pozitë, e ca më pak të vasalizohen dhe poshtërohen publikisht. Përkundrazi, ata meritojnë më shumë respekt dhe konsideratë nga SHBA-të dhe Presidenti Trump, duke vazhduar traditat e shkëlqyera për të mbetur partnerë dhe aleatë strategjikë, për të mbrojtur vlerat, parimet dhe interesat e përbashkëta madhore në çdo kohë dhe rrethanë.
© 2025 Argumentum