Perëndimi, nëpërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, po përpiqet të bllokojë planin e presidentit kinez, Xi Jinping për një rend të ri botëror apo siç njihet ndryshe Iniciativa e Qeverisjes Globale, qëllimi i së cilës është faktorizimi i Jugut Global.
Shtëpia e Bardhë ishte e para që po përballët me rrezikun duke marrë në shënjestër Indinë, kryeministri i së cilës, Narendra Modi shtrëngoi duart me presidentin kinez, Xi dhe atë rus, Vladimir Putin, në një shfaqje uniteti në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, që përfundoi dje në Tianjin.
”Aleanca e Indisë me Kinën dhe Rusinë është problematike”, tha Peter Navarro, këshilltari ekonomik i presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Ai i konsideroi presidentë Putin dhe Xi si “dy diktatorë”.
Nju Delhi është goditur nga tarifa monstruoze prej 50% të SHBA-së në përgjigje të blerjeve të naftës bruto ruse me zbritje nga India.
”Ky është një nga veprimet që e bën perceptimin ndërkombëtar të një Amerike të paparashikueshme dhe të pabesueshme të pashmangshëm për të pasur “pasoja”, vëren Ian Bremmer, president i grupit ”Eurasia”.
Megjithatë, në Bruksel ka zhgënjim kundër “mbështetjes së Kinës për luftën e Rusisë”, e cila “vazhdon të ndikojë negativisht në marrëdhëniet tona, edhe sepse Pekini kontribuon për të. Ne ua kemi bërë të qartë edhe atyre”, përsëriti një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ndërkohë, me Tianjin që konsolidon rolin kyç të SCO-së në planet antiperëndimore, alternative dhe mbrojtëse, Xi po përgatitet të tregojë sot muskujt e tij, me një paradë të madhe ushtarake për të festuar 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe dorëzimin e Japonisë, së bashku me udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, si dhe dy duzina krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish.
Ky është një skenar i paprecedentë, me Kimin, i cili po debuton në një ngjarje shumëpalëshe, pasi kishte siguruar armë dhe mbi 12 000 trupa për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Përveç dëshirës për të parandaluar përpjekjet e Trumpit për një qasje të re ndaj udhëheqësit suprem, Xi donte gjithashtu të dërgonte një sinjal të qartë se askush nuk mund të përjashtohet nga plani i tij për harmoni globale, i cili është “më gjithëpërfshirës” sesa “ngacmimi” për të cilin ai akuzon SHBA-në.
“Iniciativa ime e qeverisjes globale synon të punojë me të gjitha vendet me të njëjtat mendime për të mbështetur fort qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe për të promovuar ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe të barabartë të qeverisjes globale”, përsëriti Xi në takimin e tij të fundit me Putinin, nga i cili mori mbështetje të fortë mes shkëmbimeve të mirësjelljeve (si ”mik i vjetër” dhe ”mik i dashur”).
Fakti mbetet se një samit Xi-Putin-Kim do të hapte skenarë që nuk mund të përcaktohen nga standardet e diplomacisë tradicionale.
Tema e rendit të ri botëror është ngritur nga Xi në të gjitha takimet e tij dypalëshe, përfshirë ato me presidentin mongol, Ukhnaa Khurelsukh dhe presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.
Kina “vlerëson angazhimin e riafirmuar vazhdimisht të Iranit për të mos kërkuar armë bërthamore”, i tha Xi këtij të fundit, duke mbrojtur të drejtën e Teheranit “për përdorimin paqësor të energjisë atomike”, pasi ”forca nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, por “komunikimi dhe dialogu janë rruga e duhur për paqe të qëndrueshme”.
Mbi 10 000 trupa, 100 avionë dhe qindra automjete tokësore do të marshojnë sot në sheshin ”Tienanmen”, mes masave jashtëzakonisht të rrepta të sigurisë.
Qëllimi është të shfaqen aftësitë moderne dhe teknologjike të rritura të ushtrisë kineze, qoftë për t’iu kundërvënë forcave detare amerikane në Paqësor, për të mbrojtur sovranitetin kombëtar apo për t’u bashkuar me Tajvanin.
Do të vendosen gjithashtu raketa dhe drone hipersonike ”Dongfeng-17”, mjete të domosdoshme të luftës moderne./ATA