Të hënën, Këshilli i Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) bëri një deklaratë për 80-vjetorin e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe të themelimit të OKB-së.
Në deklaratë thuhet: “Lufta e Dytë Botërore i solli njerëzimit fatkeqësi dhe vuajtje të mëdha, duke shkaktuar miliona viktima. Fitorja e kësaj lufte erdhi nga bashkimi i të gjitha vendeve paqedashëse. Ne përkujtojmë kontributin e popujve të vendeve të ndryshme, që bënë sakrifica të mëdha për shpëtimin e botës, dhe shprehim ngushëllime të thella për viktimat e luftës.
Ruajtja dhe paraqitja objektive e fakteve historike të fitores së Luftës së Dytë Botërore janë parakushti për shmangien e përsëritjes së tragjedive, për mbrojtjen e paqes e të sigurisë dhe për forcimin e bashkëpunimit. Ne duhet të promovojmë studimet dhe edukimin përkatës, për të ruajtur kujtesën historike të kësaj lufte.
OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, është një nga rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe është themeli i sistemit modern të marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjatë 80 vjetëve, OKB-ja ka luajtur një rol të pazëvendsueshëm për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë, nxitjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror, promovimin e përparimit të çështjes së të drejtave të njeriut etj. Brenda kornizës së OKB-së janë krijuar shumë modele bashkëpunimi në përputhje me kërkesave të vendeve të ndryshme.
Vendet e ndryshme duhet të respektojnë parimet e Kartës së OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e përhershme në botë.
Duhet të forcohet roli i sistemit të përgjithshëm ndërkombëtar për nxitjen e bashkëpunimit konstruktiv midis vendeve të ndryshme në bazë të respektit të ndërsjellë, barazisë dhe përfitimeve të përbashkëta.
Ne mbështesim me vendosmëri krijimin e një bote shumëpolare më përfaqësuese, më demokratike dhe më të drejtë, duke shfrytëzuar rolin qendror bashkërendues të Kombeve të Bashkuara, të bazuar në ligjin ndërkombëtar, shumëllojshmërinë e kulturave e të qytetërimeve dhe bashkëpunimin e barabartë dhe me përfitime të përbashkëta.”/cgtn