Matija Sheriç[i]
Në qarqet e ekspertëve politiko-diplomatikë dhe në opinionin publik botëror është shumë e përhapur bindja se diaspora në përgjithësi është përfaqësuesja më e mirë e atdheut amë jashtë vendit. Kjo mundet dhe nuk është detyrimisht e saktë. Çështja kryesore është sa diaspora e do shtetin e paraardhësve dhe sa dëshiron të ndihmojë në zhvillimin e tij? Kjo nuk ka ndodhur në rastin e shteteve totalitare sikurse ishin Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Diaspora dëshironte shkatërrimin e këtyre shteteve. Megjithatë, në shumë raste diapora i do të mirën atdheut. Në shembullin e Kinës dhe popullit kinez mund të pohohet se realisht është kështu. Edhe përkundër sfidave të integrimit dhe asimilimit, diaspora kineze në të vërtetë është përfaqësuesja më e mirë e Republikës Popullore të Kinës në botë. Mund të thuhet se diaspora është akoma më e fuqishme se më e fuqishmja Ministri kineze e punëve të jashtme ose kompanitë e mëdha kineze. Kur të krijohet sinergjia e këtyre tre faktorëve, nuk është çudi që Kina, sipas shumë parametrave, do të bëhet fuqia e parë e botës.
Procesi historik i emigrimit
Emigrimi nga Kinë ka nisur në shekullin e 19-të, kur emigrantë nga Kina Jugore, në mënyrë të veçantë nga Guangdongu dhe Fuzhini, nisën të shkojnë në kërkim të punës dhe një jete me të mirë në Azinë Juglindore, ShBA, Kanada, Australi dhe në pjesë të tjera të botës. Në këtë periudhë kinezët shpesh punonin si punëtorë në miniera dhe në kushte të vështira. Gjatë shekullit të 20-të, në mënyrë të veçantë pas eleminimit të masave emigratore shtërnguese, ndodhi nëj valë e re emigrimi, përfshirë edhe studentë, ekspertë të arsimuar dhe sipërmarrës.
Diasporë me madhësinë e Italisë
Në vitin 2015, diaspora kineze (formalisht quhet Huaren ose Huaqiao – kinezë etnikë jashtë RP të Kinës) përfshin miliona kinezë në të gjithë kontinentet, përfshirë këtu edhe një numur të madh ekspertësh me arsimim të lartë të cilët kontribuojnë në mënyrë aktive në ekonominë dhe në zhvillimin shkencor botëror. Vlerësohet se diapora e sotme kineze ka më shumë se 60 milionë individë, gjë që e bën një prej diasporave më me ndikim në mbarë botën. Për krahasim, ky është një numur më i madh se popullsia e Italisë (58 milionë) ose e Spanjës (49 milionë). Këto janë shifra fantastike, por kur bëhet fjalë për Kinën, diaspora nuk është kaq e madhe, kur dihet se në Kinë jetojnë afërsisht 1,4 miliardë njerëz. Kësisoj, diaspora kineze përbën 4,3 % të popullsisë së përgjithshme të Kinës. Sot, për krahasim dhe shembull, më shumë kroatë jetojnë jashtë shtetit sesa brenda Kroacisë. Sipas shteteve më shumë kinezë jetojnë në Indonezi (11 milionë), Tailandë (7 mil.), Malejzi (6,8 mil.), ShBA (mbi 5 mil.), Singapor (3 mil.), Kanada (2 mil.), Australi 1,4 mil.)
Kinezë në Azi
Jashtë territorit të RP të Kinës, më shumë kinezë jetojnë në Azi- më shumë se 34 milionë. Diaspora kineze në Azinë Juglindore, në vende si Indonezia, Malejzia dhe Singapori, ka një ndikim të fuqishëm ekonomik, politik dhe kulturor. Në Indonezi dhe Malejzi bashkësitë kineze kontrollojnë një pjesë me rëndësi të sektorit privat, në mënyrë të veçantë në tregti, financë, industri dhe ndërtimtari. Indonezianët më të pasur janë më shumë ata me prejardhje kineze megjithëse të tillë përbëjnë më pak se 5% të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi. Në Malejzi kinezët përbëjnë afro 22% të popullsisë dhe dominojnë në shitjen me pakicë, ndërtimtari dhe sektorin teknologjik. Kinezët përbëjnë një pjesë me rëndësi të elitës tailandeze të biznesit dhe administrimit të konglomerateve në industri dhe tregtinë e pronave të patundshme. Në Singapor, përshëmbull, kinezët etnikë përbëjnë më shumë se 70% të popullsisë dhe kanë rol kryesor në formësimin e politikës shtetërore. Megjithëse bashkësitë kineze nganjëherë përballen me tensione shoqërore dhe shtypje me bazë etnike, fuqia e tyre ekonomike dhe lidhja me Kinën i bën ata aktorë me rëndësi në marrëdhëniet rajonale.
Kinezë në Australi
Diaspora kineze në Australi, e cila numuron rreth 1,4 milionë njerëz, lë gjurmë të thellë ne qelizën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Kinezët australianë janë nxitës të ekonomisë në mënyrë të veçantë në sektorin e pronave të patundshme dhe të teknologjisë. Studentët kinezë përbëjnë një pjesë me rëndësi të studentëve ndërkombëtarë, duke kontribuar kësisoj në universitetet australiane. Nga pikëpamja kulturore, bashkësitë kineze pasurojnë skenën australiane me një sërë festivalesh, restorantesh dhe inicitivave artistike. Megjithatë, ndikimi i diasporës nxit edhe diskutime publike, duke patur parasysh marrëdhëniet jo të mira mes Australisë dhe Kinës.
Kinezët Europë
Diaspora kineze në Europë vepron në shumë aspekte të jetës, duke filluar nga ekonomia e deri te kultura. Në qytete si puna e Londrës, Parisit, Berlinit dhe Milanos, kinezët luajnë një rol me rëndësi në botën e biznesit, në mënyrë të veçantë në tregti, duke shërbyer kësisoj si urë mes Europës dhe Kinës. Sipërmarrësit kinezë investojnë në projekte infrastrukturore, ndërsa iniciativat kulturore dhe restorantet sjellin pasurinë e traditës kineze në rrugët europiane. Kinezët nganjëherë përballen me fashizmin dhe ksenofobinë, por kjo nuk i lëkund ata në jetën dhe punën e tyre.
Kinezët në ShBA
Në Shtetet e Bashuara të Amerikës ndikimi i diasporës kineze është shumë i fuqishëm. Momentalisht në ShBA jetojnë 5,4 milionë amerikanë me prejardhje kineze. Bashkësia kineze nuk është kurrsesi homogjene dhe as unike, por ka lidhje të forta historike, kulturore dhe ekonomike me Kinën. Kinezët brenda ShBA-ve janë me prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe emigrantët e rajoneve të ndryshme kineze (Guanzhou, Fuzhija, Zhejiang, Shandong, Taivan, Hong Kong) dhe pakica etnike (Hakka, Ujgurë, Tebetianë, Mançurianë), gjë që e ndërliko akoma më shumë identitetin e diasporës kineze. Të gjithë ata kanë ardhur nëpërmjet valëve të ndryshme të emigrimit.
Në ShBA kinezët janë të përqëndruar në disa qytete të mëdha dhe shtete federale. Në Nju Jork City bie në sy lagja Çajnataun në Manhatan me më shumë se 500 mijë kinezë. Megjithëse numuri i kinezëve në Nju Jork po zvoglohet për shkak të zhvendosjes me banim në rajonet e tjera, qyteti në fjalë vazhdon të jetë qendër e kulturës kineze. Kalifornia si shtet federal ka numurin më të madh të kinezëve në ShBA (1,8 milionë), Los Anxhelosi është një prej qyteteve me numrin më të madh të amerikanëve kinezë (më shumë se 600 mijë). Lagja Çajnatauan në San Francisko konsiderohet lagja më e vjetër kineze në Amerikën Veriore. Në këtë qytet jetojnë më shumë se 180 mijë kinezë.
Ndikimi i kinezëve në jetën e Amerikës
Shumë pjestarë të diasporës kineze marrin pjesë në jetën politike të ShBA-ve dhe u dhurojnë fushatave të politikanëve të spikatur. Një nga shembujt e njohur është Ronnie Chan. Sipërmarrës kinezo-amerikan që ka dhuruar për fushatat zgjedhore, përfshirë kandidatët republikanë dhe demokratë. Gjithashtu Chung F. Lee, ish lider i Institutit ameërikan për studime pacifiko-aziatike (APAICS), ishte figura kyçe në mobilizimin e amerikanëve kinezë për pjesëmarrje në politikë. Pakica kineze mbështet kandidatët nëpërmjet aleancës qytetare kinezo-amerikane, e cila promovon angazhimin politik dhe donacionet për fushatat që përfaqësojnë interesat e bashkësisë kineze.
Qeveria kineze, nëpërmjet misioneve të saj diplomatike dhe shoqatave joqeveritare, nxit diasporën kineze për të mbështetur aktivisht interesat kineze në ShBA. Zyrat konsullore kineze dhe ambasada ndihmojnë në koordinimin e këtyre aktiviteteve, duke organizuar ceremoni të ndryshme dhe iniciativa për forcimin e lidhjeve mes ShBA-ve dhe Kinës. Sipërmarrësit kinezo-amerikanë investojnë në projekte që përfshijnë të dy vendet. Përshembull Jerry Yang, është themeluesi i Yahho, ndërsa Steve Chen bashkëthemelues i Youtube.
Kinezët – përbërës i domosdoshëm i Amerikës moderne
Diaspora kineze në ShBA ka rol të madh në fushat akademike dhe teknologjike, me një numur të madh studentësh dhe shkencëtarësh që marrin pjesë aktivisht në kërkime shkencore. Për shkak të numurit të madh të kinezëve në industrinë e teknologjisë, shumë gjigandë teknologjikë amerikanë (Microsoft, Apple, Google, IBM, Nvidia) bashkëpunojnë me sipërmarrësit dhe kërkuesit kinezë. Po ashtu, shumë bashkësi kineze në ShBA mbajnë lidhje të forta me krahinat ku kanë lindur në Kinë, duke i orientuar investimet dhe dijet në Kinë. Diaspora kineze gjithashtu ka një ndikim me rëndësi në kulturë nëpërmjet një numur të madh festivalesh, restorantesh dhe institucionesh arsimore që promovojnë kulturën kineze në ShBA. Megjithëse përballen me sfida në integrimin e tyre në shoqërinë amerikane, kinezët amerikanë mbeten të lidhur fuqishëm me identitetin e paraardhësve të tyre, duke ballancuar mes përditëshmërisë amerikane dhe kulturës kineze.
Rëndëisa e diasporës për Pekinin
Presidenti kinez Xi Jinping ka nënvizuar shumë herë rëndësinë e diasporës kineze.Kështu, në Konferencën me rastin e 65-vjetorit të themelimittë Këshillit popullor këshillues politik në Pekin në muajin shtator 2014, Xi deklaroi: “Duhet të zgjerojmë lidhjet tona me kinezët jashtë Kinës, me kinezët emigrantë që janë kthyer në Kinë, dhe me kushërinjtë e kinezëve të emigruar që jetojnë në Kinë. Gjitashtu është e nevojshme të mbrohen të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, të nxiten që të marrin pjesë aktivisht në bashkimin paqesor të Kinës dhe të mbështesim përpjekjet për promovimin e shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe vendeve të tjera”.
Pas ringritjes ekonomike, që nga viti 1990 Pekini ka nisur të kërkojë aleatë nëpër botë më së shumti në Azi, Afrikë, Amerikën latine. Në vitin 2013 është inicuar projekti grandioz Rruga e Re e mëndafshit, si projekti më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë. Tre vite më vonë është themeluar Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe e Investimeve (AIIB) e cila financon projekte të mëdha. Megjithatë, diaspora mbetet më e vlefshmja.
Diaspora – mjet i fuqisë së butë
Diaspora përbën një element të fuqisë së butë kineze e cila i mundëson Pekinit të ndërtojë lidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme me vendet e tjera. Nuk ka dyshime se diaspora ka për të qënë gjithmonë besnike e Kinës, ndërsa shtetet dhe organizatat miltikulturore nuk është e detyrueshme të jenë të tilla gjithmonë. Nuk është çudi që shumë politikanë dhe shërbime të fshehta në Perëndim i konsiderojnë kinezët si “kolonë e pestë” potenciale. Kjo gjë në shumicën e rsateve nuk është e vërtetë. Kinezët janë popull kozmopolit që don lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Bashkësitë kineze në mbarë botën jo vetëm që kontribuojnë në ekonominë botërore, por edhe nxitin shkëmbimet kulturore dhe mirëkuptimin mes popullit kinez dhe popujve të tjerë. Çfarëdolloj konfliktesh globale (ushtarake, tregtare, diplomatike) nuk janë në interesin e diasporës kineze dhe kjo është diçka që duhet patur në mendje në kohët e Donald Trumpit.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/kineska-dijaspora-most-izmedu-kine-i-svijeta/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA