Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington DC (15-17 maj), ku u takua me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.
Në takimin me Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona.
Gjatë takimit, u shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon.

Në takimin me John Ratcliffe, Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.
Po ashtu, u shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.
“Vizita në SHBA dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar sot në faqen zyrtare të SHISH.
/Argumentum.al