Eksportet kanë thelluar tendencën rënëse në prill, që është muaji i parë i plotë kur ekonomia ishte tërësisht në karantinë, si rrjedhojë e masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit të Covid-19.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se totali i mallrave të eksportuara në prill ishte vetëm 15 miliardë lekë, me një rënie prej 44% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rënia më e thellë ishte për grupin e “tekstile e këpucë”, e ndjekur nga “material ndërtimi dhe metale” dhe “minerale lëndë djegëse dhe energji”, që përbëjnë dhe tre grupet kryesore të eksporteve në vend.
Sipas INSTAT, rënia vjetore e eksporteve prej 44,4 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -20,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -10,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -8,4 pikë përqindje.
“Tekstilet dhe këpucët”, sektori kryesor eksportues, që punëson direkt rreth 55 mijë persona, sipas INSTAT, shënoi një rënie të fortë prej 52% në prill, duke zbritur në 30.5 lekë. Për 4 mujorin tkurrja është 26%.
Mineralet, lëndë djegëse dhe energji”, që ishin grupi i dytë më i madh i eksporteve shënuan një rënie të thellë prej 57% në prill. Ndikimin kryesor e dha ndërprerja e aktivitetit nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend. Kjo është ndërprerja e parë e prodhimit në histori, që nga viti 1957, kur ka filluar nxjerrja e naftës në atë zonë.