Në fjalën përshëndetëse në prezantimin e këtij raporti, Guvernatori Gent Sejko theksoi se riformulimi i politikave industriale, tema qendrore e raportit të këtij viti, pasqyron nevojën për strategji të reja përballë sfidave globale: tensioneve gjeopolitike, transformimeve teknologjike, fragmentimit tregtar dhe ndryshimeve demografike.
Politikat industriale nuk janë më thjesht instrumente për të mbështetur industri ekzistuese, por levë për rritje të qëndrueshme, të orientuar nga inovacioni.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi sot se Shqipëria ka realizuar një progres të dukshëm në drejtim të krijimit të institucioneve të forta dhe përmirësimit të klimës së biznesit, duke kontribuar në një rritje ekonomike të qëndrueshme gjatë pesë viteve të fundit.
Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it për vitin 2024, Sejko foli për progres në disa tregues si uljen e papunësisë në 11,3% dhe një rritje të konsumit privat me 7%, duke nënvizuar rëndësinë e reformave strukturore në këtë rrugë.

Raporti i këtij viti i BERZH-it, trajton një nga sfidat më të mëdha që po përballen ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim: riformulimin e politikave industriale në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlikuar.
Sipas Sejkos, këto politika nuk janë më thjesht mjet për mbështetjen e industrive ekzistuese, por për ndihmën në krijimin e ekonomive të diversifikuara dhe krijuese të përparuara, si dhe në përgatitjen e një të ardhmeje të qëndrueshme.
Guvernatori nënvizoi se për Shqipërinë dhe shumë vende të tjera, rruga drejt zhvillimit përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Sipas tij, shërbimet e digjitalizuara dhe krijuese të përparuara janë ato që po shfaqen si mundësia e re për rritjen e produktivitetit dhe vlerës së shtuar.
“Për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht. Këto “shërbime të transformimit global”, si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave, janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë”, tha Sejko.
Në të njëjtën kohë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se politikat industriale që ndërmerren nga qeveria duhet të jenë të harmonizuara me procesin e integrimit evropian, dhe se si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria ka shumë mundësi të përfitojë nga konvergjenca me Bashkimin Evropian.
Anëtarësimi në SEPA dhe përfitimet që lidhen me të, si reduktimi i kostove të transaksioneve ndërkombëtare, janë pjesë e këtij procesi, shtoi ai.
Guvernatori theksoi gjithashtu se politikat industriale nuk duhet të përqendrohen vetëm te sektori i pasurive natyrore dhe i industrive tradicionale, por duhet të përfshijnë edhe sektorët që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit.
Së bashku me zhvillimin e sektorëve të rinj, ai u shpreh për domosdoshmërinë që politikat të përqendrohen në përfshirjen sociale dhe të ndihmojnë në zvogëlimin e pabarazive.
Një tjetër element që Sejko theksoi, ishte nevoja që ndihma shtetërore të fokusohet tek ato kompani që kanë potencial të lartë për të kontribuar në inovacion dhe krijimin e vendeve të reja pune.
Ai sugjeroi që garancitë e kredive, huatë me interesa të ulëta dhe fondet e kapitalit sipërmarrës mund të bëhen katalizatorë të ndryshimeve të mëdha, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe dinamike.
Në fjalën e tij, Sejko përmendi se, edhe pse Banka e Shqipërisë nuk harton politika industriale, ajo ka një rol thelbësor në garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, që është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm. Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16,7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real”, deklaroi Sejko.
Sipas Sejkos, për të arritur një transformim të pandërprerë dhe për t’u pozicionuar më mirë në rrugëtimin drejt integrimit europian, Shqipëria duhet të vazhdojë të investojë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu dhe institucioni, si elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Ai drejtoi një ftesë për të hartuar politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të përputhen me aspiratat afatgjata të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, arsimit dhe krijimit të mundësive për të ardhmen.
“Të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë”, deklaroi Guvernatori.
/Argumentum.al