Hekurudha Ekspres Kinë-Evropë, me pikënisje qytetin Shenzhen të Kinës Jugore, shënoi përvjetorin e vet të pestë të hënën, me një tren që transportonte pajisje shtëpiake, produkte elektronike dhe mallra të tjera me destinacion Rusinë.
Në këtë linjë kanë qarkulluar gjithsej 878 trena, duke transportuar më shumë se 85 000 kontejnerë standardë me mallra, me një vlerë të përgjithshme ngarkese që i tejkalon 3 miliardë dollarët, sipas Kompanisë së Zhvillimit të Logjistikës Hekurudhore “Shenguo” të Shenzhen-it.
Treni i parë në këtë itinerar u nis më 18 gusht 2020, duke transportuar makineri e produkte elektronike nëpër kontinentin euroaziatik drejt Duisburgut të Gjermanisë.
Në pesë vjetët e fundit, rrjeti i Hekurudhës Ekspres Kinë-Evropë (Shenzhen) është zgjeruar nga një linjë e vetme në 27 të tilla në 47 vende e rajone, duke përfshirë Gjermaninë, Republikën Çeke, Italinë dhe Rusinë. Vlera e përgjithshme e ngarkesave të transportuara nëpërmjet linjës së Shenzhen-it është rritur për pesë vjet radhazi.
Deri më sot, kjo linjë u ka shërbyer më shumë se 7 000 ndërmarrjeve, duke transportuar vazhdimisht pajisje shtëpiake, produkte elektronike, mallra elektro-shtëpiake dhe këpucë nga Zona e Madhe e Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao për në vendet e rajonet përgjatë hekurudhës. Gjithashtu, ajo ka sjellë produkte me cilësi të lartë nga këto vende dhe rajone në Kinë, duke krijuar një kanal tregtar dypalësh./cgtn