Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh ekonomike e tregtare në Suedi, gjë që ka tërhequr vëmendje globale.
Në një kohë pasigurish e paqëndrueshmërie globale në rritje, përpjekjet e të dy vendeve për të nxitur dialogun, me qëllimin për të arritur konsensus dhe përfitime të ndërsjella, jo vetëm që përputhen me interesat e tyre të përbashkët, por edhe u përgjigjen shpresave të bashkësisë ndërkombëtare.
Në muajt e fundit, Kina dhe ShBA-ja kanë punuar për t’i rikthyer marrëdhëniet e tyre tregtare në rrugën e duhur pas një periudhe tensionesh. Ky përparim inkurajues nxjerr në pah një të vërtetë themelore, që thellimi i komunikimit për të rritur mirëkuptimin, për të pakësuar keqkuptimet e për të zgjeruar bashkëpunimin është jetik për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm, të qëndrueshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Pas bisedimeve ekonomike e tregtare në Gjenevë, të dy vendet i kanë ulur ndjeshëm nivelet e tarifave dypalëshe. Pas bisedimeve ekonomike e tregtare në Londër, të dy palët kanë mbajtur komunikim të ngushtë, duke konfirmuar detajet e kuadrit të vendosur në Londër dhe duke çuar përpara zbatimin e tij.
Foto/Xinhua: Delegacionet e Kinës dhe ShBA-së pozojnë për një fotografi në grup para takimit të parë të mekanizmit të konsultimit ekonomik e tregtar Kinë-ShBA në Londër të Britanisë, më 9 qershor 2025.
Kina ka shqyrtuar dhe miratuar aplikimet për eksportin e artikujve të kontrolluar në përputhje me ligjin, dhe Shtetet e Bashkuara kanë hequr një sërë masash kufizuese të vendosura ndaj Kinës në fillim të korrikut.
Këta hapa konkretë kanë dërguar sinjale pozitive të besimit në rritje, duke ndihmuar në nxitjen e rimëkëmbjes së tregtisë dypalëshe.
Të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës treguan që, pas përparimit në bisedimet e fundit ekonomike e tregtare në Gjenevë dhe Londër, tregtia midis dy vendeve arriti në mbi 350 miliardë juanë (rreth 49 miliardë dollarë amerikanë) në qershor, nga më pak se 300 miliardë juanë (rreth 42 miliardë dollarë) në maj.
Thelbi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare Kinë-ShBA qëndron në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella për të dyja palët. Ndërsa Kina i afrohet raundit të ri të bisedimeve ekonomike e tregtare me sinqeritet, ajo do të ndjekë me vendosmëri parimet dhe interesat e saj thelbësore.
Rruga nga Gjeneva në Londër nuk ka qenë aspak e qetë. Dallimet dhe tensionet afatgjata midis dy palëve mbeten dhe zgjidhja e tyre do të kërkojë kohë. Kina e mirëpret thellimin e dialogut, por është gjithashtu plotësisht e vetëdijshme për natyrën afatgjatë, komplekse e sfiduese të tejkalimit të dallimeve ndërmjet dy vendeve.
Megjithatë, prania e mosmarrëveshjeve nuk e përjashton mundësinë e gjetjes së fushave me interes të përbashkët për çështjet kryesore, as nuk i pengon të dy palët të demonstrojnë përgjegjësinë që pritet nga vendet e mëdha.Foto nga VCG
Raundi i ardhshëm i bisedimeve ekonomike e tregtare përfaqëson një mundësi të rëndësishme për t’i sjellë qëndrueshmërinë dhe besimin e shumëpritur ekonomisë globale. Pavarësisht sfidave, menaxhimi i dallimeve dhe kërkimi i bashkëpunimit nëpërmjet dialogut mbetet rruga e vetme e duhur për të dy palët.
Vetëm duke respektuar barazinë e duke marrë parasysh shqetësimet e njëra-tjetrës, Kina dhe ShBA-ja mund të arrijnë vërtet përfitime të ndërsjella./cgtn