Kryeministri Edi Rama njoftoi sot, në kuadër të reformës në sektorin e ujit, krijimin e Operatorit të Ujit, një strukturë e re kombëtare me fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend, për të garantuar një efikasitet më të lartë të sektorit dhe shërbim cilësor për të gjithë abonentët.
“Sot do të ndajmë me publikun një hap të rëndësishëm që do të hedhim së shpejti lidhur me krijimin e operatorit kombëtar të shpërndarjes së ujit. Kemi pasur një trashëgimi shumë dramatike në sektorin e ujit, i cili është një sektor që natyrisht kërkon investime të mëdha dhe administrim të përgjegjshëm”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se në këto vite janë bërë investime të mëdha dhe është rritur përgjegjshmëria e administrimit.
“Por tanimë jemi të bindur duke parë edhe ecurinë e një reforme që u ndërmor para disa vitesh për përfshirjen e qeverisë në aksionet e ndërmarrjeve të ujësjellësit, që përfundimisht nuk kemi më asnjë arsye të humbasim kohë të mëtejshme dhe të besojmë në zgjidhje tjetër përveç një zgjidhjeje që, për hir të së vërtetës, na është sugjeruar para shumë vitesh më parë, nga disa prej ekspertë dhe pas eksperiencave që kemi analizuar në vende të suksesshme”, shtoi Rama.
Sipas tij, “fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtetë”.
“Borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur shumë edhe me burimet njerëzore në këtë ndërmarrje si edhe mungesa e ekspertizës që e shoqëruan, me mungesë të investimeve në mirëmbajtje, sollën situatë shumë të pajustifikueshme”, tha Rama.