Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sapo mora lajmin e trishtë për të papërsëritshmin, Abdi Baleta! Në moshën 84 vjeçare ai u shua! U nda nga ne një meteor që jepte dritë e shpresë në kënetën intelektuale dhe moçalin politik të Shqipërisë. Ishte një mendje e ndritur dhe me atë mendje ai nuhati shumë larg rreziqet për atdhun tonë, Shqipërinë, për Kosovën dhe gjitha trojet shqiptare në Ballkan! Ishte një patriot dhe nacionalist i përmasave më të mëdha të katër dekadave të fundit. Me diturinë dhe mençurinë e tij u dha dritë zhvillimeve panshqiptare. Ishte dhe mbeti pishtar në errësirën e zymtisë dhe përçudmërisë!
Abdi Baleta ishte edhe politikan (pesë vite në parlamentin e Shqipërisë)! Ishte diplomat aristokrat në kuptimin e elitës diplomatike në Shqipëri. Ishte njeriu i peshores së çdo gjëje në balancën e interesit kombëtar. Ai kurrë nuk llogariti karrierën, aq më pak pushtetin. Punoi për të iluminuar shqiptarët. Krijoi vepra të mëdha e të pavdekshme. Publicistika e tij, analizat, komentet, trajtesat që ka realizuar në medie, sidomos në gazetën “Rimëkëmja”, në gazetën “Bota sot” apo në Revistën “Koha”, kanë në themel interesat e shqiptarëve, ruajnë si substancë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Kam patur fatin të bashkëpunoj me të madhin e të paepurin, Abdi Baleta. Bashkëpunimi me të është ndoshta një prej ndjesive më të mira të jetës sime. Ai përveçse e botonte gazetën e tij “Rimëkëmbja” te Shtëpia Botuese e imja “KOHA”, qe gjithashtu bashkëpunëtor i përhershëm i revistës me të njëjtin emër “KOHA”. Nuk përtoi asnjëherë të shpaloste idetë e tij. Nuk u pajtua kurrë me intrigën dhe intrigantët, me të keqen dhe me të këqinjtë. Mbrojti në punimet e shkrimet e tij të pafundme idenë kombëtare, interesin kombëtar, qenien tonë kombëtare. Madje si askush tjetër në këto 35 vite të post-komunizmit.
E nisi me fjalimet brilante në Parlamentin e Shqipërisë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 e deri në vitin 1996, sa kohë qe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. I detyroi kundërshtarët e tij që t’ia jepnin kohën e tyre në dizpozicion për të folur, me qëllim që ato fjalime të mos ndërpriteshin nga gongu i spikerit të parëamentit. Eshtë i vetmi që ka arritur deri në këtë pikë imponimi, sepse ishte i vetmi që me pasion të pamatë e mbrojti Shqipërinë dhe i mbrojti shqiptarët me zell.
Kam patur fatin gjithashtu që të botoj dy nga veprat më të rëndësishme të të madhit Abdi Baleta. Jam e do të jem krenar për këtë dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm me këtë personalitet të pakrahasueshëm të epokës së demokracisë tranzicionale të pas komunizmit. Njeriu ne dinjitetin dhe integritetin e spikatur, Abdi Baleta, shkon në amshim i nderuar dhe i respektuar nga kushdo që e ka njohur dhe nuk e ka njohur.
Abdi Baleta u nda nga ne fizikisht. Por ai është e do të mbetet pjesë e jona. Veprat e tij janë dëshmia më e mirë e jetës së tij plot vrull e pasion në dobi të kombit shqiptar. Mesazhet e tij nga këto vepra janë të jashtëzakonshme. I pari dhe kryesori është motivimi për të punuar me mish e me shpirt dhe pa kompromis për ta mbrojtur Shqipërinë, Kosovën dhe çdo pëllëmbë të territorit shqiptar me çdo sakrificë e me çdo çmim! Nuk ka burrë tjetër në këto troje që ta ketë përcjellë këtë mesazh si Abdi Baleta!
Lavdi të përjesthsme këtij burri të madh e të paharrueshëm të kombit shqiptar!
Faleminderit i dashur mik që na lejove të jemi pjesë e kohës tuaj!
/Argumentum.al